Aktualitet

18 muaj qeverisje, kryeministri Kurti: Lartësuam Kosovën në botë!

Një vit e gjysmë qeverisje në Kosovë, kryeministri Albin Kurti bëri një përmbledhje të arritjeve të shënuara. Sipas tij, në tre muajt e parë të vitit, rritja ekonomike shënoi 4.9%.

Në vitin 2021 kishim pakon e ringjalljes ekonomike me mbi 300 milion euro, kurse sivjet duke shtuar edhe pakon e përballjes me inflacion mbështetja po i kalon edhe 350 milion euro të tjera. Shtesat për lehonat e fëmijët, pensionistët e personat me aftësi të kufizuara, mbështetje për prodhuesit e eksportuesit, fermerët e studentët, mësimdhënësit e stafin shëndetësor, për kursyesit e energjisë dhe 13 kuzhina popullore, etj. Të hyrat e Doganës dhe ATK-së janë rritur respektivisht  30.8% dhe 28%. Të dyja gati trefish më shumë se rritja e Bruto Produktit Vendor. Të hyrat e ATK-së për periudhën janar-gusht 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2021, janë 22.2% më të larta. Eksportet u rritën për 83.6% vitin e kaluar kurse këtë vit kemi rritje për 29% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Shefi i qeverisë përmendi edhe marrëveshjen e nënshkruar me MCC-në, në vlerë mbi 200 milion dollarë.

Kemi luftuar ekonominë joformale, punën e padeklaruar dhe kontrabandën. Dogana ka zbuluar 1,778 veprime të kundërligjshme në 2021 (64% më lartë se në 2020) dhe vetëm për 8 muajt e parë të këtij viti e ka arritur kuotën mesatare për muaj të vitit 2021. ATK ka parandaluar dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë prej mbi 12 milion euro. Ndërsa, Inspektorati i Tregut ka rritur për mbi 50% numrin e inspektimeve (më shumë se 6 mijë gjithsej). Kemi rritur mundësitë e barabarta për zhvillim duke e bërë arsimin publik falas, duke shtuar buxhetin për arsim prej 12%, duke dhënë mbështetje financiare për studentë e nxënës, si dhe duke rritur përfshirjen në Edukimin në Fëmijëri të Hershme. Duke lançuar sistemin dual të edukimit kemi hyrë në një etapë të re ku diploma siguron një vend pune, pasi më në fund do të lidhim shkollat profesionale me tregun e punës.

Kurti nënvizoi:

Me vetting-un për drejtësinë, Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjet anti-korrupsion, kemi filluar reformat e kërkuara nga qytetarët që synojnë të bëjnë gjyqësorin efikas dhe prokurorinë aktive në luftimin e kriminalitetit dhe në dhënien e drejtësisë.

Sipas tij, “edhe bizneset dhe investitorët do të zgjidhin më shpejtë problematikat përmes Gjykatës Komerciale duke eliminuar pritjet dhe humbjet”.

Kemi lartësuar Kosovën në botë duke u renditur të parët në rajon për sundimin e ligjit, duke u përmirësuar për 17 vende në indeksin kundër korrupsionit dhe për avancimin e lirës së medias dhe kemi nxjerrë Kosovën nga izolimi duke aplikuar në Këshillin e Europës, duke adresuar të gjitha pengesat për liberalizimin e vizave dhe duke përgatitur aplikacionet për anëtarësim në BE dhe në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe.