Aktualitet

192 mijë qytetarë i kanë bërë të dy dozat e vaksinave anti-COVID në Shqipëri!

Shkon në 192 mijë, numri i qytetarëve në Shqipëri që kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID. Shifrën e dha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Në total janë kryer 638.338 vaksinime për punonjës të shërbimeve kritike dhe grupmoshat mbi 60-vjeç.

Me punën fantastike që po bëjnë vaksinatoret tona në të gjithë vendin, ia kemi dalë të kryejmë 638.338 vaksinime, prej të cilave 192 mijë qytetarë i kanë bërë të dy dozat e vaksinës dhe janë sot shumë më të mbrojtur nga COVID-19.

Më shumë se 760 mijë vaksina kanë mbërritur deri tani në Shqipëri dhe autoritetet kanë si objektiv për të kryer një milion vaksinime brenda muajit qershor. Vaksinimi masiv vijon me kalendar të kombinuar, për personat mbi 60-vjeç e punonjës siç janë të fasonerive apo operatorët turistikë.

Javët e fundit, në vendin tonë ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës nga koronavirusi me shifrat që janë në ulje të ndjeshme. Dje u raportuan 45 infektime të reja e tre viktima. Raste aktive janë 8.342 ndërsa 2.426 persona nuk ia dolën të fitojnë betejën me sëmundjen.