Bota

2.5 miliardë dollarë ndihmë amerikane ushtarake për Ukrainën!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës prezantuan ndihmën e re ushtarake për Ukrainën në vlerën e 2.5 miliardë dollarëve. Bëhet e ditur se aty përfshihen qindra pajisje të armatosura dhe ndihmë shtesë për sistemin ajror të vendit që prej rreth një viti po përballet me agresionin rus të nisur më 24 shkurt 2022. Departamenti amerikan i Mbrojtjes raporton se në ndihmën më të fundit për Kievin përfshihen 59 pajisje luftarake Bradley, si edhe 90 transportues të blinduar Stryker. Po ashtu, në njoftimin e Pentagonit thuhet:

Në ndihmën e fundit përfshihen edhe sistemet raketore HIMARS, sistemet për mbrojtje ajrore Avenger, mijëra predha të artilerisë e po ashtu 2 mijë raketa.

Në total, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë 27 miliardë dollarë si ndihmë për Ukrainën, që nga koha kur Moska ka nisur luftën në shkurt të vitit të kaluar. Krahas Amerikës, të tjerë aleatë perëndimorë kanë ofruar armë në vlerën e miliarda dollarëve po për Ukrainën.

Pas shqetësimeve se forcat ruse mund të rigrupohen e të nisin një sulm të madh në javët në vijim, Ukraina është duke kërkuar më shumë ndihmë ushtarake për të luftuar pushtimin rus.

Përgjatë udhëtimit të tij në Uashington, në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i tha ligjvënësve në Kongresin Amerikan se ndihma për Ukrainën është investim në demokraci e nuk përbën një bamirësi.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Kujtojmë se prej nisjes së pushtimit, Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra ekonomike, për të cilat shefi i Kremlinit, Putin beson se iu kthyen në bumerang vetë Perëndimit dhe nuk arritën të ndikonin aq sa shpresohej në Rusi.

Si pasojë e luftës kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për t’iu shpëtuar luftimeve.