Bota

2 doza Pfizer apo AstraZeneca mbrojnë nga varianti Delta!

Dy doza të vaksinës Pfizer&BioNTech apo asaj AstraZeneca që gjithashtu përdoren në Shqipëri, mbrojnë edhe nga Delta ndonëse me një efikasitet disi më të ulët në krahasim me variantet e tjera të koronavirusit.

Në këtë përfundim dalin të dhënat e mbledhura nga Public Health England, të publikuara në New England Journal of Medicine. Për studimin u përdorën informacionet për 20 mijë raste të infektuarish nga Delta në Angli e të dhënat u përpunuan me dy mënyra të ndryshme.

Dy doza të Pfizer-it rezultuan 88% efikase në parandalimin e simptomave të sëmundjes kundrejt 93.7% në rastin e variantit britanik Alfa.

Sa i përket AstraZeneca-s, rezultatet e dy dozave ishin 67% në krahasim me 74.5% të Alfës.

Gjithashtu, analiza rikonfirmoi se një dozë e vetme nuk mjafton e në këtë rast, për Pfizer-in e AstraZeneca-n nuk shkohet përtej nivelit 30% të imunizimit. Nuk ka dyshim se studimi ofron mbështetje të mëtejshme në përpjekjet për të çuar përpara vaksinimin masiv përballë kërcënimit të variantit Delta që fillimisht u shfaq në Indi, për t’u shtrirë në 124 shtete, 13 më shumë se javën e kaluar.

3.4 milionë infektime të reja me koronavirus janë regjistruar javën e kaluar në botë, 12% më tepër krahasuar me të mëparshmen. Me këtë ritëm pritet që numri i rasteve të raportuara globalisht të kalojë 200 milionë në tre javët e ardhshme.

Pavarësisht dyshimeve, deri tani në vendin tonë nuk është konfirmuar asnjë rast me Deltan por alarmi mbetet i lartë dhe autoritetet bëjnë thirrje të mos neglizhohet vaksinimi. Aktualisht, në Shqipëri kjo është java kur mund të vaksinohen edhe moshat mbi 18-vjeç.