Aktualitet

2 korrik 1990, 32 vjet nga eksodi i shqiptarëve!

Plot 32 vjet më parë, më 2 korrik 1990 mijëra vetë guxuan të hynin në ambasadat e huaja në Tiranë, duke shënuar fillimin e ndryshimit politik në Shqipërinë komuniste. Në historinë e vendit, data shënon një pikë të fortë kthese. Ishin me mijëra shqiptarët që duke mposhtur frikën e një diktature gjysmëshekullore mësynë selitë diplomatike në kryeqytetin e Shqipërisë. Atëherë nuk e dinin se me atë veprim, shenjuan edhe kthesën e madhe të vendit. Ai që u quajt si eksodi i madh i shqiptarëve i dha goditjen e fundit regjimit të Byrosë Politike në Shqipëri, duke hapur portën e lirisë për mijëra vetë.

Një protagonist i atyre ngjarjeve, ish-ambasadori gjerman në Tiranë, Werner Daum, njeriu që u hapi derën dhe i ndihmoi shqiptarët që hynë në ambasadën që drejtonte, në një aktivitet të disa viteve më parë në Bonn do të ndante momente të panjohura për publikun. Daum ishte ndër të parët që besonte se regjimi komunist shqiptar po shkonte drejt fundit, përkundër vlerësimeve të shërbimeve sekrete të huaja, qëndrimit të BE-së e NATO-s, madje edhe qeverisë së atëhershme gjermane, që i jepte një jetë të gjatë regjimit komunist. Kjo për shkak se Shqipëria nuk kishte ura lidhëse me vendet e tjera lindore, nuk ishte prekur nga zhvillimet reformuese.

Për shërbimet e huaja, dukej se shteti shqiptar do të mbetej kalaja e socializmit në Adriatik e do të ishte një Kubë në Ballkan. Diplomati citonte Martin Camajn, të cilit i referohej si “shqiptari i madh që e bëri të kuptonte se çfarë regjimi represiv ishte ai komunist”. Dhe vesimi se shqiptarët do ta thyenin murin e izolimit nuk u zhgënjye më 2 korrik 1990.

Studiues vendas e të huaj bashkohen në pikën se 2 korriku 1990 ishte moment shumë i rëndësishëm i një procesi që zgjati deri në dhjetor 1990, kur filluan demonstratat e studentëve që shënuan dhe ardhjen e pluralizmit në Shqipëri.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta kujton sot 2 korrikun 1990.

Liria ndërtohet mbi guximin! Mirënjohje Ylli Bodinakut e të gjithë shqiptarëve, që në emër të lirisë, demokracisë dhe të një Shqipërie si gjithë Europa, thyen me heroizëm më 2 korrik 1990 izolimin e diktaturës për t’i dhënë vendit një drejtim të ri dhe të pakthyeshëm. Rrugëtimi drejt Europës që nisi me guximin për të rrëzuar murin e ambasadës gjermane, duhet përshpejtuar me vendosmërinë për të shkuar drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Ndërtimi i një të ardhmeje shumë herë më të mirë se tre dekadat që kaluan pas “Ngjarjeve të Ambasadave” garantohet vetëm nëse zbatojmë në mënyrë të vendosur reformat e kërkuara, rikthejmë llogaridhënien në çdo nivel dhe dëgjojmë zërin e qytetarëve nëpërmjet referendumeve. Që kjo rrugë të jetë e shpejtë është vetëm në dorën tonë! Koha për të ndërtuar Europën në Shqipëri është tani!