Aktualitet

20 mijë panele diellore për familjarët!

Programi për subvencionimin me 70% të shumës për çdo familje që do të instalojë panele diellore në banesë për ngrohjen e ujit, është një instrument tjetër që po zbaton qeveria për të përballuar krizën energjetike. Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku informoi sot lidhur me programin për subvencionimin me 70% të shumës për çdo familje që do të instalojë njësi diellore për ngrohjen e ujit. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Balluku deklaroi se nga 1 tetori është çelur thirrja për subjektet që tregtojnë por edhe instalojnë panelet diellore. Balluku tha se gara pranë Agjencisë së Eficencës së Energjisë do të jetë e hapur për subjektet deri më 18 tetor.

Më 1 nëntor do të hapim aplikimet për 2000 familjet e para të interesuara, që duan të përfitojnë nga ky program. Nga të dhënat rezulton se 20% e faturës mujore të një familjeje shkon për ngrohjen e ujit. Kjo është faza e parë dhe synimi është që brenda vitit 2023 të jenë të instaluara mbi 20 mijë njësi për ngrohjen e ujit për abonentët, duke bërë të mundur uljen e kostos së çdo fature për familjarët, por edhe konsumin në përgjithësi, në kushtet e krizës energjetike.

Zv/kryeministrja Balluku bëri të ditur se në Taskforcën për energjinë do të jetë në terren për të siguruar se të gjithë hapat e planit për përballimin e krizës së energjisë do të përmbushen.

Kriteret për Aplikim për subjektet e tregtimit:

1) Subjekti (person fizik ose juridik) të jetë në status aktiv dhe i regjistruar në regjistrin tregtar sipas legjislacionit në fuqi, dhe ka në fushën e veprimtarisë objektin e financimit.
2) Të vërtetojë se nuk ka detyrime ndaj organeve tatimore.
3) Të jetë furnitor i dorës së parë ose distributor.
4) Dokumente që vërtetojnë se produkti plotëson standartet Europiane dhe çertifikimin CEN Solar Keymark që garanton cilësi të lartë të produktit, siguri në përdorim, jetëgjatësi dhe rendiment të lartë si dhe karakteristikat teknike të mëposhtme:
-depozite uji material çelik-inoks – INOX 316L HiMo
-termoizolimi i depozitës së ujit (polyurethane 70mm, 35-40Kg/m3)
-veshja e jashtme e depozitës së ujit 304BA çelik-inoks
-i gjithë sistemi të jetë me rezistence të lartë ndaj ndryshkjes
-sistemi të jetë i përshtatshëm si për montim në çati ose tarracë§ Depozita e ujit te kete kapacitet 200 litra.
Karakteristikat teknike të pasqyrave:
-kornizë alumini të anodizuar
-sipërfaqja e pasqyrës me veshje blu e bërë nga fletë alumini 0.5mm të trasha, të salduara me teknologji lazer
-tubat e brendshëm të jenë tërësisht prej bakri
-izolim me tekstil me lesh xhami me trashësi 50 mm në anën e pasme dhe lesh guri 20 mm të trashë në konturet anësore
-koeficienti i përthithjes α ≥ 0,95 ± 0,02
-emisiviteti sipërfaqësor (humbjet e rrezatimit sipërfaqësor) ε ≤ 0,05 ± 0,02
-garancia e panelit diellor për ujë të ngrohtë dhe depozitës së ujit dhe materialeve përbërëse, te jetë jo më pak se 5 vite për depozitën e ujit dhe jo më pak se 7 vite për panelin diellor
-skeda teknike e panelit diellor dhe impjantit konform kritereve teknike të kërkuara
-preventivin/ofertën për impjantin duke përfshirë dhe kostot e transportit e instalimit, e cila nuk duhet të tejkalojë vlerën 140,000 Lek (pa TVSH). Oferta financiare do të jetë detyruese dhe ofertuesi nuk mund të lëshojë faturë me çmim të ndryshëm nga oferta e paraqitur
-të deklarojë sasitë e paneleve diellore që mund të furnizojë për klientët familjarë
-të deklarojë qytetet ku mund të ofrojë shërbimin.
-të pranojë kryerjen e shërbimit kundrejt konsumatorëve familjarë nga shitja deri tek kolaudimi i panelit diellor për ngrohjen e ujit brenda datës 30 janar 2023
-të angazhohet se pranon vetëm 30% të financimit nga abonentet familjarë dhe 70% të investimit nga Agjencia për Eficencën e Energjisë pas instalimit të panelit diellor.