Aktualitet

21 janari, kallëzim i ri në SPAK nga familjarët e Aleks Nikës!

Kallëzim i ri në SPAK për ngjarjet e 21 janarit 2011, me katër protestues të vrarë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Familjarët e Aleks Nikës, njërit prej viktimave, sot kërkuan zbardhjen e vrasjes së tij. Në Prokurorinë e Posaçme, ata dorëzuan kallëzim të ri ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-kreut të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.

Kallëzimi i ri vjen disa ditë pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK shpalli moskompetencën për hetimin e dy kallëzimeve të Partisë Socialiste e të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, po për 21 janarin. Familjarët kundërshtojnë dërgimin e çështjes në Prokurorinë e Tiranës duke kërkuar që ta marrë në dorë SPAK-u për hetim.

Në një deklaratë për gazetarët, Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, tha se hetimin e çështjes së 21 janarit, ia beson vetëm SPAK-ut, se sipas tij “Prokuroria e Tiranës po zvarrit çështjen”.

Kemi prova ku identifikohet zëri i komandantit të Gardës ku thuhet të qëllohet në mish. E dorëzojmë këtë vetëm te SPAK, se te Prokuroria nuk kemi besim. Ka një ndikim politik nëse nuk merret, se përgjigjen ata duhet të na e jepnin me shkrim. Ata ia kanë kaluar Prokurorisë, por Prokuroria nuk ka këllqe ta hetojë këtë gjë.

Më 21 janar të 12 viteve më parë, gjatë protestës së Partisë Socialiste që në atë kohë ishte në opozitë, u vranë katër protestuesit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet.

Gjykata vlerësoi se vrasjet e Veizit, Myrtajt dhe Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia, ndërsa u dënua ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardisti Agim Llupo me tre vjet heqje lirie. Ende pa autor mbetet vrasja e Aleks Nikës, pasi nuk është mundur të faktohet se nga cila armë u qëllua për vdekje.