Politikë

“21 janari”, Rama: Fajtorët e vërtetë Berisha e Basha! Një kërkon të marrë SHQUP-in, tjetri ruan bravën

Rama theksoi se ata që sulmohen në Partinë Demokratike sot, asokohe ishin bashkë dhe i akuzoi si vrasës të protestuesve të pafajshëm.

Kur shënohen 11 vite nga 21 janari i vitit 2011 ku mbetën të vrarë katër protestues Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda, për të cilët ende nuk ka asnjë drejtësi, kryeministri Edi Rama, përmes rrjeteve sociale deklaroi se protestuesit e vrarë ishin të parrezikshëm ndërsa akuzoi si fajtorë të vërtetë për vrasjen, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.

“Protestuesit u shpërndanë në disa pika larg objektit të rëndësisë së veçantë. Degradoi në disa djegje, por larg kryeministrisë e cila nuk u prek nga askush dhe asgjë. Besoj se shumëkujt mund t’i kujtohet që ka qenë e rrethuar me gardh, dukej si një vilë e madhe private e pasanikëve ish-sovjetikë, dhe jo si pallati i një qeverie demokratike. Asnjë shishe me benzinë nuk e kaloi gardhin, apo asnjë zjarr nuk e përpiu pemën pranë derës.”-tha Rama.

Ndër të tjera Rama theksoi se ata që sulmohen në Partinë Demokratike sot, asokohe ishin bashkë dhe i akuzoi si vrasës të protestuesve të pafajshëm.

“Pashë komentatorë mbrapa bravës duke thënë se fajin shpesh, qysh në krye të herës por përsëri, se fajin e kam unë, se i thirra njerëzit në protestë ndërkohë që nëse nuk ndalemi te kriminelët që tërhoqën këmbëzën, fajtorët e vërtetë për ato vrasjes ndodhen njëri mbi Foltore që do të marrë SHQUP-in dhe tjetri pas bravave”-tha Rama, duke ju referuar Berishës dhe Bashës.

Kryeministri tha ndër të tjera së PS e ka shlyer pjesën e saj të detyrimit me anë të reformës në drejtësi, për të cilin ai kërkoi durim për rezultate. Rama vlerësoi se aktualisht reforma në drejtësi është në hapat e saj të parë.

“Të thuash se 4 njerëz u vranë se nuk duhej të shkonin në Bulevard atë ditë, do të thotë të mos bësh asnjë koment. Meritojnë koment ata që thonë se fajin e kam unë dhe qeveria pse fajtorët e vërtetë janë të lirë e madje japin dhe shfaqje serialesh të dhunshme në mes të Tiranës. Unë nuk shoh asnjë arsye për të menduar dy herë përballë kësaj akuze, përkundrazi besoj se e kemi shlyer atë pjesë të detyrimit që na takon me dëshmorët e 21 janarit dhe e kam fjalën për reformën në drejtësi e cila përgojohet për ditë nga kundërshtarët e saj, armiqtë e saj, foltore më foltore, bravë më bravë, por që është guri i themelit të munguar prej 100 vitesh në këtë shtet ku drejtësia nuk ka qenë kurrë drejtësi, por ose një gurrë në dorën e pushtetit për të masakruar armiqtë apo gurë në pazarllëqet me jetët e të tjerëve. Për herë të parë është vënë një gur themeli për drejtësinë në Shqipëri dhe këtë gur e ka vënë kjo parti në pushtet. E ardhmja e drejtësisë nuk është blozë siç ka qenë para komunizmit, gjatë dhe pas komunizmit. PS mori përsipër të vendosi këtë gurë themeli. Durimi është një gjë e rrallë në këtë vend sepse njerëzit kanë pritur shumë. Mua mund të më shfryheni sa të doni, i mirëpres të gjitha, por nuk mund të më kërkoni llogari për 30 vjet e as mund të kërkoni të pamundur, funksionimin e plotë të drejtësisë kur akoma nuk është tharë boja në reformën në drejtësi. Kjo është si të kërkosh që një fëmijë të bëhet burrë për 4 vjet. Po pastrohet llumi i paparë në sistemin e drejtësisë”, tha Rama.