Aktualitet Bota

21 të vdekur dhe 33 të plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm në xhaminë e Kabulit!

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një xhami në kryeqytetin afgan, Kabul përgjatë lutjeve në mbrëmje më 17 gusht, kanë thënë dëshmitarët dhe zyrtarët. Një zyrtar i inteligjencës së talebanëve i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se 35 njerëz janë plagosur dhe 21 të tjerë kanë vdekur.

Dëshmitarët i kanë thënë Reuters-it se shpërthimi i fuqishëm është dëgjuar në lagjen në veri të Kabulit dhe për pasojë janë thyer xhamat e dritareve në ndërtesat në afërsi.

Ambulancat janë parë shpejt në vendin e ngjarjes. Një zyrtar i inteligjencës së talibanëve, duke folur në kushte anonime, ka thënë për Reuters-in se shpërthimi ka ndodhur në një xhami në rajonin Khair Khana në Kabul. Sipas burimit, imami i xhamisë është në mesin e të vdekurve. Ekipet e inteligjencës janë duke hetuar rastin.

Organizata joqeveritare italiane – Emergency, e cila operon një spital në Kabul, tha se “shumica e pacientëve që erdhën pas shpërthimit vuajnë nga plagët e shkaktuara prej predhave dhe djegieve”. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por dega lokale e Shtetit Islamik ka shtuar sulmet që kur talibanët u kthyen në pushtet në gusht të vitit të kaluar, pas tërheqjes së forcave të udhëhequra nga SHBA-ja.