Bota Rajoni

21 vjet nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA/Homazhe në Kosovë!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot shënojnë 21-vjetorin e sulmeve më të mëdha terroriste në tokën e tyre. Rreth 3 mijë njerëz humbën jetën më 11 shtator të vitit 2001. 19 militantë të lidhur me grupin terrorist Al-Kaeda rrëmbyen katër avionë dhe i përplasën në Kullat Binjake në Nju Jork, në Pentagon pranë Uashingtonit, si dhe në një fushë në Pensilvani.

Themeluesi i Al-Kaedës, Osama bin Laden, gjendej në Afganistan në kohën e sulmeve, nën mbrojtjen e talebanëve, të cilët mbanin pushtetin prej vitit 1996. Kur talebanët refuzuan dorëzimin e tij, Shtetet e Bashkuara dhe forcat aleate pushtuan Afganistanin, duke u zotuar se do të mbështesnin demokracinë e do të eliminonin kërcënimin terrorist. Ato u larguan vitin e kaluar, pas 20 viteve prani në territorin afgan ku talebanët janë rikthyer në pushtet prej gushtit 2021.

Kanë kaluar mbi 10 vjet nga koha kur Osama bin Laden u vra nga forcat speciale amerikane në Abotabad të Pakistanit. Për ndihmën që iu ofrua në kryerjen e atentateve të përgjakshme, vetëm Zacarias Moussaoui u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

Edhe në këtë 21-vjetor, drejtuesit shtetërorë të Kosovës kryen homazhe te pllaka përkujtimore “Kosova kujton” në Prishtinë. Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se pas sulmeve të 11 shtatorit, populli i Kosovës dhe ai amerikan, kanë bashkuar forcat për të luftuar terrorizmin.

I bashkohemi të gjithë popullit amerikan për të ndarë dhimbjen për më shumë se 3 mijë jetë të humbura në një betejë, e cila edhe një herë u dëshmua se ishte betejë vlerash. Më 11 shtator 2001, shtetasit amerikanë ishin nën një prej sulmeve terroriste më të tmerrshme në historinë e njerëzimit. Por, atë ditë nuk u sulmua vetëm Amerika, u sulmuam të gjithë ne që besojmë në po të njëjtat vlera: në vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Pas homazheve, kryeministri Albin Kurti u shpreh:

Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan. Edhe pas sulmeve të 11 shtatorit, Amerika dëshmoi se është komb i njerëzve të lirë e të barabartë, që nuk bëjnë kompromis me vlerat e tyre.

Zv.ambasadorja amerikane në Kosovë, Alyson Grunder, falënderoi autoritetet që u solidarizuan në përkujtimin e sulmeve.

Në atë ditë të kobshme, unë isha në Nju Jork duke shërbyer në misionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Mund ta imagjinoni tronditjen që do të përjetonte çdo njeri ndaj një akti të tillë që synonte të vriste sa më shumë njerëz të pafajshëm. Por, në ditët në vazhdim, ne pamë solidariteten nga e gjithë bota, përfshirë të Kosovës.