Rajoni

22 vjet nga hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë!

Në 22 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, drejtuesit më të lartë të vendit zhvilluan sot homazhe në Prishtinë te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të Aleancës.  Dislokimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 12 qershor 1999 pasoi fushatën 78-ditore të sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër objektivave serbë në Kosovë dhe Serbi. Kjo njihet edhe si Dita e Lirisë apo Çlirimit të Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu:

Pas një sakrifice mbinjerëzore, hyrja e forcave të NATO-s dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i sollën vendit, lirinë, çlirimin e paqen. Kjo Pllakë Përkujtimore shënon historinë e re te Kosovës dhe bashkëpunimin tonë të fuqishëm me aleatët perëndimorë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca:

Fakti që Aleanca më e madhe ushtarake i doli në ndihmë popullit të Kosovës dhe u mobilizua struktura më e madhe ushtarake demokratike në botë e bombardoi Serbinë për shkak të genocidit ndaj popullit të Kosovës, tregon se kauza jonë ishte e drejtë e liria jonë shumë e shenjtë, ndaj duhet ta mbrojmë e ta ruajmë me çdo kusht!

Kryeministri Albin Kurti:

Më 12 qershor kremtojmë paqen, çlirimin e lirinë dhe çdo ditë i kujtojmë vetes se të gjithë ata gra e burra që u sakrifikuan e dhanë jetën, janë në themelet e institucioneve e shtetit tonë. Gjithashtu të pavarësisë, të cilën duhet ta çojmë më tej, me zhvillim, drejtësi dhe demokraci!

Sulmet ajrore filluan më 24 mars 1999, pas dështimit të bisedimeve në Rambuje të Francës ku me ndërmjetësimin ndërkombëtar, atë kohë u zhvillua Konferenca e Paqes mes autoriteteve të Serbisë e përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës. Këta të fundit e pranuan marrëveshjen e kompromisit por jo delegacioni serb. Ky moment u pasua me vendimin e shteteve perëndimore dhe NATO-s për nisjen e bombardimeve kundër objektivave ushtarake serbe. Sulmet ndalën krimet dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe, nën komandën e Sllobodan Millosheviçit.

Pas 78 ditëve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Rezoluta ishte kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit. Mbi bazën e saj, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, për të administruar fazën tranzitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Më herët ishte nënshkruar Marrëveshja Teknike e Kumanovës, për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s atje.
Ndërhyrja mundësoi edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda e jashtë Kosovës. Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50.000 ushtarëve nga 36 vende të botës, 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.

Sot që kanë kaluar 22 vjet, trupat e KFOR-it janë në numër më të vogël, 3.600, të shpërndara në pjesë të ndryshme të Kosovës, me mision paqeruajtës.
KFOR-i angazhohet të qëndrojë aq sa do të jetë e nevojshme për të ruajtur paqen për të gjitha grupet etnike në Kosovë.