Rajoni

23-vjet nga sulmet e NATO-s në Serbi!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kujton 23-vjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s në Serbi.

23 vjet më parë, NATO ndërhyri për të ndaluar genocidin e vazhdueshëm kundër popullit të Kosovës. Ne u jemi përjetësisht mirënjohës aleatëve për mbështetjen e rrugës sonë drejt lirisë dhe demokracisë. Tani më shumë se kurrë, bota demokratike duhet ta kujtojë këtë histori suksesi!

Më 24 mars të vitit 1999, kur ora shënoi 19:45 minuta, avionët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e dha presidenti amerikan i kohës, Bill Clinton, i cili në një fjalim historik para popullit të tij, bëri të ditur se kishte urdhëruar Aleancën Veri-Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësia e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit, në vend të paqes.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, që ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç. Më 11 qershor 1999, forcat armike filluan të largohehsin nga territori i Kosovës. Kjo ishte e para ndërhyrje ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e njohur ndryshe edhe si historike.

Një ditë më parë u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare, Madeleine Albright, e cila ishte Sekretare Amerikane e Shtetit në kohën e sulmeve të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës. Luftën 78-ditore e pati cilësuar “shumë thelbësore, sepse bëhej në emër të lirisë për njerëzit që vriteshin e përndiqeshin në shtëpitë e tyre”. Tre vjet më parë, në Prishtinë u zbulua busti në nder të ish-sekretares Albright, gjithashtu e dekoruar në Kosovë me “Urdhrin e Lirisë”.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti bënë homazhe te busti i Albright-it. Konjufca deklaroi:
Me presidentin Bill Clinton, Albright ishte forca kryesore shtytëse në planin ndërkombëtar për të ndalur genocidin e Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

Për kryeministrin Kurti, “ndërhyrja e NATO-s mban vulën e zonjës Albright”.

Dija e thellë, mendja e mprehtë, dashuria e paepur për të drejtat dhe liritë e qytetarit në republikë, orientimi i saj për demokracinë sociale dhe njohuritë e jashtëzakonshme për gjeopolitikën, e bëjnë një personalitet, i cili do të kumbojë gjatë, jo vetëm në politikën dhe qeverisjen amerikane e te ne në Kosovë, por edhe në shumë vende të tjera të botës.