Aktualitet

259 fëmijë, gra e burra mbërrijnë në Rinas nga Mazari Al Sharif!

259 fëmijë, gra e burra të larguar nga Mazari Al Sharif, kanë mbërritur pak më parë në aeroportin e Rinasit.

“Falë koordinimit me partnerët, ata kanë tani një strehë të sigurt, duke rikonfirmuar edhe njëherë seriozitetin dhe përkushtimin e Shqipërisë, për shpëtimin e qindra qytetarëve afganë”, shkruan muinistrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka.

Qytet Studenti ishte vendi i parë ku u akomoduan fillimisht afganët, i cili shërbeu vetëm si një vend tranzit, deri sa të përfundonin procedurat e regjistrimit dhe më pas ato janë strehuar në strukturat hoteliere. Durrësi, Lezha dhe Berati janë tre qytetet që kanë hapur dyert për akomodimin e afganëve, sepse mundësia për strehimin e tyre në kampe është përjashtuar kategorikisht nga kryeministri Edi Rama.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre, pasi u kërcënohet jeta nga talebanët. Ato do të qëndrojnë për 1 vit, deri sa ata të marrin vizën për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nëse dikush prej tyre do të qëndrojnë përgjithmonë, është i lirë për ta bërë.

Deri tani në vendin tonë po strehohen 903 afganë!