Rajoni

Konfirmohet aktakuza, Hashim Thaçi njofton dorëheqjen

Në një zhvillim të vetëm pak minutave më parë, Hashim Thaçi njoftoi dorëheqjen si president i Kosovës. Thaçi e bëri këtë pasi iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale e hagës që trajton pretendime për krime lufte në Kosovë. Thaçi apeloi që politika të bashkohet e të mos humbasin kohë me përçarje. Në takimet informative do të kemi më shumë detaje rreth këtij zhvillimi.

Gjatë adresimit ndaj publikut më 29 qershor ai tha se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.

“Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si president i juaji dhe do të përballem me akuzat”.

Ai shtoi se Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë.

“Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam. Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, -ka deklaruar ai por tashmë gjithçka u konfirmua zyrtarisht.