Rajoni

26 vjet nga Masakra e Srebrenicës!

Bosnje-Hercegovina sot shënon 26-vjetorin e genocidit në Srebrenicë ku forcat serbe vranë 8 mijë burra e djem myslimanë në atë që njihet si masakra më e madhe në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Eshtrat e 19 viktimave varrosen sot në Qendrën Përkujtimore Potoçari. Më i riu tyre Azmir Osmanoviç, vetëm 16-vjeç kur u vra. Eshtrat iu gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan në maj të këtij viti. Më i moshuari i të 19-ëve, Husein Kurbashiç, 63-vjeç kur e vranë.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën e shpallur “e sigurt” nga Kombet e Bashkuara. Trupat e burrave dhe djemve që masakruan, i hodhën në gropa, në pyjet përreth.

Vetëm pak ditë për t’i vrarë e vite të tëra për t’i gjetur, identifikuar e zhvarrosur, çka vazhdon ende.

Në Qendrën Përkujtimore “Potoçari” prehen mbi 6.650 viktima, mes tyre më shumë se 430 të mitur. Sipas dëshirës së familjarëve, në vende të tjera janë varrosur mbi 230 e kërkimet vijojnë për rreth 1 mijë të zhdukur.

Masakra e Srebrenicës u njoh si genocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Deri tani, 47 persona janë dënuar me mbi 700 vjet heqje lirie. Burgim i përjetshëm për ish-liderin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç e ish-komandatin e tyre ushtarak, Ratko Mlladiç.

Në 2010-ën, Parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë, me të cilën kërkoi falje për Masakrën e Srebrenicës.

Serbia duhej ta parandalonte tragjedinë!

Në Parlamentin serbi janë depozituar dy rezoluta të tjera, në njërën kërkohet që Srebrenica të dënohet si krim e në tjetrën, si genocid por ende nuk janë në rend dite.

Në javën që po lëmë pas, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, me të cilën dënoi genocidin në Srebrenicë sikurëse veproi Parlamenti i Malit të Zi më 17 qershor të këtij viti. Maqedonia e Veriut iu parapriu mbi një dekadë më parë, në 2010-ën. Deri tani, Shqipëria nuk ka miratuar ndonjë dokument të ngjashëm.

Zona ku ndodhi Masakra e Srebrenicës ruhej nga paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara. Në 2019-ën, një gjykatë holandeze konstatoi se Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për 350 vdekje në Masakrën e Srebrenicës.

Parlamenti Europian e ka shpallur 11 korrikun, Ditën e Përkujtimit të Genocidit në të gjithë Bashkimin Europian, si dhe iu bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor, të veprojnë në të njëjtën linjë.

Në një mesazh të përbashkët, kryediplomati europian Borrell dhe euro-komisioneri i Zgjerimit, Varhelyi shkruajnë:

Në Europë nuk ka vend për të mohuar genocidin, revizionizmin dhe për të lartësuar kriminelët e luftës. Këto janë në kundërshtim me vlerat më themelore europiane. Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme! Europa nuk e ka harruar përgjegjësinë e saj për dështimin në parandalimin e genocidit në Srebrenicë!