Aktualitet

29 Nëntori, 78-vjetori i Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë!

Sot shënohen 78 vite nga çlirimi i vendit nga pushtuesit nazifashistë në Luftën e Dytë Botërore. Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, u pushtua nga forcat gjermane deri në 29 nëntor të vitit 1944 kur u çlirua. Prej vitesh, politika mbetet e ndarë. Për të djathtët, 28 Nëntori është edhe Dita e Çlirimit, përveçse e Pavarësisë, por e majta njeh 29 Nëntorin si Ditë Çlirimi, që është edhe festë zyrtare.

Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër pushtimit të vendit.

Ndërkohë, dje Shqipëria festoi 28 Nëntorin, 110 vjet nga shpallja e Pavarësisë. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme në trevat shqiptare dhe për shqiptarët anembanë botës.

Kjo datë shënon dy momente të veçanta për historinë e vendit tonë. Në vitin 1443, më 28 nëntor heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar, mbi kalanë e saj. Ndërsa më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë, shtet sovran dhe të pavarur.

Vlorë aty ku më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin shqiptar duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur, u mbajt ceremonia e ngritjes së flamurit, me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë. Kjo ceremoni ka bërë bashkë drejtuesit më të lartë të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës.

Të pranishëm ishin presidentët Bajram Begaj e Vjosa Osmani, kryeparlamentarët Lindita Nikolla e Glauk Konjufca, si dhe kryeministrat Edi Rama e Albin Kurti. Nën tingujt e himnit të flamurit, zyrtarë e lartë të dy shteteve u përkulën me nderim dhe vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit.