Bota

3 shqiptarë mes viktimave nga tërmeti në Izmir, shpëtohen nëna me 4 fëmijët

Tre shqiptarë të Kosovës janë në mesin e 49 viktimave nga tërmeti i dy ditëve më parë në Turqi. Ambasadori i Kosovës në Ankara, Ilir Dugolli tha se bëhet fjalë për 64 vjeçaren Nazmije Dograjan, si dhe çiftin e bashkëshortëve Hatixhe dhe Bajram Dogruja 70 dhe 73-vjeç. Të larguar nga Prishtina që në 1956-n për t’u vendosur në Izmir, shqiptarët nuk mundën t’u mbijetojnë lëkundjeve sizmike me magnitudë 6.6 shkalla Rihter. Ndërkohë në spital në gjendje të rëndë ndodhet djali i Nazmije Dograjas, 28 vjeçari Malik Tahirleri, i cili u nxor nga rrënojat i mbuluar nga trupi i nënës së tij.

Shpresa se nën rrënoja mund të ketë ende të mbijetuar i shtyn ekipet e shpëtimit në Turqi të mos e ndalojnë punën. Në këto orë dramatike për qytetin e Izmirit, deri tani janë nxjerrë të gjallë më shumë se 100 persona. Shifrën e pohoi vetë presidenti Rexhep Tajip Erdogan. Nëntë janë zonat ku po përqendrohen kërkimet, ndërsa të zhdukurit llogaritet të jenë rreth 180.

Megjithatë mrekullitë ekzistojjnë. Punonjësit e shpëtimit mundën të nxjerrin të gjallë pesë pjesëtarë të një familjeje pasi hapën një tunel mes gërmadhave. Një nënë 38 vjeçare që kishte mbetur e bllokuar u shpëtua së bashku me dy binjakët e saj 11 vjeçarë, djalin 7 vjeç dhe vajzën 3 vjeçare.