Aktualitet Politikë

30-vjetori i FRESSH, kryeministri Rama leksion të rinjve për politikën!

Në 30-vjetorin e krijimit të FRESSH-it, kryeministri Edi Rama përshëndeti sot Kongresin e Rinisë së Partisë Socialiste, gjatë punimeve te Amfiteatri i Liqenit në Tiranë. Duke iu drejtuar të rinjve, Rama tha se “për shumë prej tyre, politika tingëllon si fjalë e urryer”.

Për shumëkënd në kohët që jetojmë, politika tingëllon sot si fjalë e shkarravitur sa në asnjë kohë tjetër, si asnjë fjalë tjetër mes fjalëve më të këqija. Falë edhe rrjeteve sociale, një mundësie krejt të panjohur deri ca kohë më parë për njerëzimin, që duken si korridore të pafundme metroje ku ata lënë spontanisht shkarravina, fjala politikë ka hyrë sot botërisht në grupin e fjalëve të pista dhe politikanët në një kategori të mallkuar gjerësisht në të gjitha bisedat apo në shkarravitjet spontane të njerëzve, në muret e rrjetit të metrosë sociale.

Atyre që refuzojnë të dëgjojnë për politikë, Rama iu kujtoi se “gjithsesi, politika merret dhe vendos për ta”.

Kush thotë nuk merrem me politikë, nuk dua t’ja di për të, gënjen veten sepse nuk kupton se politika merret gjithsesi me të. Vendimet e politikës e prekin gjithsesi atë dhe e kushtëzojnë veprimtarinë e tij në çdo kontekst ku jeton njeriu. Politika të hyn pa marrë autorizim në jetën tënde. Gabojnë kur mendojnë se të merresh me politikë do të thotë të jesh njëri prej atyre që t’i sheh në televizion, rrjete sociale, tribuna, foltore.

Kush e përfytyronte dot, atë që na panë sytë 6 janarin e një viti më parë, kur u sulmua tempulli i politikës amerikane nga njerëz si të ardhur nga kohëra shumë të vjetra apo ato që pamë më 8 janar, te oborri i një partie politike që u kthye në një reality show me politikanë realë, por të arratisur mbrapa, në kohë diku nga mesjeta. Gjëra të paimagjinueshme!

Ndërsa u ndal te ndryshimet demokratike të viteve ‘90, shefi i Qeverisë u shpreh se “të ishte për politikanët e kohës, ndryshimi politik i Shqipërisë nuk do kishte ndodhur kurrë nëse pedagogë e studentë, nuk do ishin “ngatërruar” me politikë.