Rajoni

300 të burgosur në Kosovë, firmoset marrëveshje me Danimarkën!

Danimarka nënshkroi sot marrëveshjen me Prishtinën për të sjellë 300 të burgosur në Kosovë, si përpjekje për të reduktuar mbipopullimin në burgjet daneze. Fillimisht, të dy vendet ranë dakord në dhjetor që shteti skandinav të marrë me qira 300 qeli burgu për një tarifë vjetore prej 15 milion eurosh. Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Haekkerup:

Ne kemi nënshkruar tani një marrëveshje që do të sigurojë kapacitet më të mirë në burgjet tona të mbipopulluara dhe do të lehtësojë presionin mbi oficerët tanë të burgjeve.

Nga fillimi i vitit të ardhshëm, të burgosurit do të dërgohen në një burg në qytetin e Gjilanit. Të burgosurit e huaj do të deportohen pas vuajtjes së dënimit.

Me këtë marrëveshje, gjithashtu Danimarka dërgon një sinjal të qartë për të huajt nga palë të treta të dënuar me dëbim. E ardhmja juaj nuk është në Danimarkë dhe për këtë arsye, nuk do ta kryeni dënimin tuaj këtu!

Deri në vitin 2020, rreth 350 të burgosur do të deportoheshin pas përfundimit të dënimit në burgjet daneze. Popullsia e burgjeve në Danimarkë u rrit me gati 20 për qind që nga viti 2015, për të arritur në më shumë se 4 mijë persona të burgosur në fillim të 2021-shit, duke e vendosur shkallën e kapaciteteve të burgjeve në mbi 100%, sipas të dhënave zyrtare. Në të njëjtën periudhë, numri i rojeve ra me 18 për qind.

Nuk është hera e parë që Danimarka, vend që mban një nga qëndrimet më të ashpra të Europës për emigracionin, planifikon të transferojë të dënuarit e huaj. Në qershor, ky shtet miratoi një ligj që lejonte hapjen e qendrave të pritjes për azilkërkuesit jashtë Europës, ku aplikantët do të jetonin deri kur të niste procesi mbi çështjen e tyre. Dhjetorin e kaluar, Kosova dhe Danimarka nënshkruan një letër-pëlqim, sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit danez. Për këtë huazim, bazuar në letër-pëlqim, Kosova pritet të përfitojë 210 milion euro gjatë dekadës së ardhshme.