Rajoni

31 mijë rrufe mbi detin Jon, stuhia godet Korfuzin dhe Janinën!

Moti i keq ka prekur prej 24 orësh Greqinë Perëndimore, duke përfshirë qytetet e Janinës, Igumenicës, Patrës dhe ishullin e Korfuzit. Dhjetë zona janë goditur nga stuhitë me erë të fortë, reshje të dendura shiu dhe shkarkesa intensive të vetëtimave.

Banorëve u janë dërguar mesazhe paralajmëruese nga Emergjencat Civile dhe autoritetet shtetërore janë vendosur në gatishmëri të lartë. Kjo është një stuhi e fortë dhe e shpejtë pasi kohëzgjatja e saj do të jetë 48 orë, por meteorologët po i bien “kambanës” për intensitetin e saj.

Vetëm të hënën janë regjistruar në Perëndim dhe Veriperëndim të Greqisë më shumë se 31,000 rrufe. Sipas Observatorit Kombëtar të Athinës, sasia më e madhe e reshjeve deri në orën 19:00 është regjistruar në Paxos me 45 milimetra, ndërsa theksohet se stuhia ka pasur aktivitet të lartë elektrik.

Moti i keq pritet të godasë Korfuzin për herë të dytë brenda pak orëve, me një ekip prej 8 personash nga Emergjencat Civile që kanë mbërritur urgjentisht në ishull për të përforcuar shërbimin lokal të zjarrfikësve.

Probleme me motin e keq ka edhe në ishullin Othon, i cili ka mbetur pa energji elektrike. Sekretariati i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile u dërgoi një mesazh alarmi banorëve të ishullit, duke u bërë thirrje të përgatiten për motin ekstrem që pritet të godasë ishullin deri në mëngjesin e së martës.

Për shkak të reshjeve të dendura të shoqëruar me rrufe që ranë më herët, uji ka shpërthyer nga pusetat duke vërshuar nëpër rrugë ndërsa qendra e qytetit të Korfuzit ka mbetur pa energji që prej orës 08:00 të mëngjesit.

Në veri të ishullit një zjarr ka rënë në Avliotes. Probleme ka pasur edhe në aeroport me fluturime të anuluara. Stuhia pritet të intensifikohet në Korfuzin qendror dhe verior.

Moti i keq i ardhur nga Italia, e shoqëruar me reshje shiu, breshër dhe vetëtima, ka prekur edhe Patrën. Edhe në Janinë rrugët u kthyen në lumenj, me ujin që ka përmbytur disa shtëpi.