Travel

Një udhëtim drejt llixhave të Sarandopolit, në Leskovikun e harruar

Llixhat e Sarandoporit dhjetë minuta larg Leskovikut, janë populluar në fundjavë nga të rinj dhe turistë të ndryshëm.

Për drejtorin e Agjencisë së Zonave të Mbrojturam Iljon Thanas kjo është një nga zonë me plot vlera turistike dhe kurative.

“Janë dy burime të mëdha dhe 40 burime të vegjël me vlera kurative, peizazhin e bukur, mund të bëhet edhe plazh në brigjet e Vjosës dhe ka vlera shumë të veçanta. Pavarësisht infrastrukturës është goxha i vizitueshëm dhe i frekuentuar, kryesisht në zonën e verës”, shtoi ai.

Nënprefekti i Kolonjës, Sergei Peshtani veçon vlerat e kurative që ofrojnë llixhat e Sarandoporit.

Vlerat kurative janë të padiskutueshme sepse shërojnë, kurojnë sëmundje të brendshme, të ekzemave, të lëkurës dhe më e rëndësishmja, kur ngrohet artificialisht uji nëpër vaska në temperaturën 36 gradë, atëherë ka një veprim maksimal dhe çudibërës për sëmundjet e reumatizmale, deformimit të eshtrave dhe me radhë. Është një ujë që del shumë i pastër dhe duke i pirë njëkohësisht shërben shumë për sëmundjet e ulçerës, verdhëzës, ato të mëlçisë, aparatit tretës e të tjera.

 

Përfaqësues nga Ministria e Turizmit pranojnë problematikën e infrastrukturës.

“Në fakt lidhur me infrastrukturën dhe ne e kemi të njëjtin shqetësim, mendojmë që do të ketë ndërhyrje, për momentin ministria është duke punuar dhe duke marrë masa që të promovojnë pika me rëndësi të tilla turistike. Në vazhdimësi i mbetet vendimmarrësve për të vendosur një gjë të tillë”, thotë Shpresa Mezini.

Llixhat e Sarandoporit janë të njohura edhe për faktin se janë vizituar edhe nga figura e njohur siç ishte Lord Bajroni.

Ku ndodhet qyteti kufitar i Leskovikut?

Pas arrave të famshme buzë rrugës automobilistike Korçë-Përmet dhe pas një kthese të fortë, rruga të çon në qendër të qytetit Leskovikut. Aty, në çdo orë të ditës dhe të natës “të pret” një rrap, që e ka kaluar shekullin, dhe rreth tij lokale të shumtë, siç janë kudo në Shqipëri në qendrat e qyteteve të tillë të vegjël. Për ata që vijnë për herë të parë në këto vende, pamje të tilla të gjallin emocione. Ka diçka të veçantë, virgjine, në këta qytete provincialë, të cilët “flasin” në heshtje. Mijëra sy të vëzhgojnë si një të ardhur nga një planet tjetër dhe mijëra zemra dëshirojnë të hysh në derën e tyre të hapur.

 

Sot Leskoviku nuk e ka famën e dikurshme, rrugët e Jugut, të Konicës, Janinës dhe Selanikut, që u prenë aq dhunshëm më 1913, për kushtet e reja që kanë lindur, endé nuk janë lidhur si duhet. I mbetur në një “cep të Shqipërisë së Poshtme”, siç thoshte Kuteli, Leskoviku i ngjan një zogu pa krahë. Reformat, të quajtura administrative, që nga koha e Zogut e këtej, vetëm sa e kanë mpakur dhe zvogëluar, duke e “ngrënë”, Përmeti në njërën anë, dhe, duke e përthithur, Erseka në anën tjetër.

Qyteti i Leskovikut ka qenë një qendër e lashtë. Këtë e vërtetojnë gjetjet arkeologjike, kultet, dhe një dokumentacion i pasur nga periudha më të hershme, sidomos në Mesjetë. Edhe defterët osmane e përmendin Leskovikun me fshatrat përreth shumë të populluar. Leskoviku njihet si qendër qytetare banimi në fillimet e viteve 1800. U krijua si qendër pushimi e verimi nga pushtetarët otomanë të asaj kohe. Gradualisht kaloi në qendër kazaje dhe deri qendër sanxhaku (sipas “Enciklopedia” të Sami Frashërit). Si njësi administrative ka pasur në varësi krahinën e Leskovikut, Përmetit e Pogonit.

Në Muzeun e Luvrit në Paris është vendosur busti i luftëtarit shqiptar kundër pushtimit otoman, Zylyftar Podës, një nga objektet e rralla shqiptare në këtë muze.

Popullsia maksimale e Leskovikut ka arritur në vitet 1900 me rreth 10.000 banorë kur ka pasur 11 lagje. Në vitet 1920-1944 ka qenë nënprefekture në varësi të prefekturës Korçë. Njihej si pika më e fuqishme doganore me Greqinë deri në këtë periudhë. Në të kalonte një nga segmentet rrugorë më të përdorura me Greqinë e më tej Turqinë. Pika e Tre Urave ishte nyja lidhëse.

Gjatë viteve 1800-1940 ka zhvilluar një aktivitet të fuqishëm tregtar. Deri në vitin 1956, Leskoviku ka qenë njësi administrative “Rreth”. Diktatura, për arsye të fesë dhe marrëdhënieve me shtetin grek, në vitin 1956 e shkriu si njësi administrative dhe e kaloi në varësi të rrethit Kolonjë. Aktualisht është një qytet i vogël me popullsi prej 4000 banorësh.

Qyteti i Leskovikut ishte qendër turistike, ku vinin e pushonin në verë pasanikë, të cilët veç klimës shfrytëzonin edhe banjat aq të dëgjuara të Sarandaporit dhe banjat me avull të Postenanit. Turizmi i dha atij shkëlqim e rriti dhe i shtoi rrjetin tregtar. Ishin të dëgjuar qiraxhinjtë dhe tregtarët e tij, që bënin rrugët nga Follorina deri në Janinë, Sarandë e më tej.

Një pasuri e madhe e asaj krahine janë edhe traditat folklorike dhe etnografike. Bukuria e valleve dhe këngëve leskoviqare, sazet e dëgjuara të Hafize e Selim Leskovikut, violinisti virtuoz Mitre Jorgo, klarinetisti Vangjel Janushi e Gaqo Lena përcollën më shumë art meloditë lirike të asaj krahine, që pushtuan skenat e Gjirokastrës, Beratit dhe të krahinave të tjera brenda dhe jashtë vendit.

Ajo krahinë ka pasuri të mëdha arkeologjike e historike. Janë të dëgjuar vende të tilla si Varri i Krajlit, Maja e Melesinit, kisha e Cerckës, e Kovaçishtit, vendbanimi i vjetër i Malishtës, bodrumi i Lashovës, lapidari i ushtarëve italianë të rënë në luftën italo-greke, Vrima e Kopiles në Radat, Përroi i Grekut, Pylli i Shelegurit, liqeni akullnajor në majën e tij, bile edhe “tunelet” e çuditshëm të Malit të Postenanit të hapur nga ushtria në kohën e komunizmit (!) etj., që mund të shtojnë kuriozitetin e turistëve dhe udhëtarëve të huaj e vendas.

Leskoviku mburrej me vreshtat e veta, me rakinë dhe verën e famshme, me pasuritë e tij mbi e nëntokësore. Janë të dëgjuara vreshtat e Postenanit, Radovës, Shqerisë, Çarçovës etj. Një nga pasuritë e mëdha të krahinës janë pyjet, që shtrihen që nga Arrëza dhe vazhdojnë me Shelegurin, Vashën dhe më tej matanë Postenanit deri në Munushtir e gjetkë.

 

Në kohën e komunizmit u zbuluan edhe rezerva mineralesh të kromit dhe alabastrit etj. Një pasuri tjetër po aq e madhe janë dhe dy banjat e asaj krahine: Banjat termale te Sarandaporit dhe banjat me avull të Postenanit. Ato u kanë shërbyer me shekuj të sëmurëve jo vetëm të zonës, por edhe të gjithë vendit tonë dhe më tej Greqisë etj. Ajo krahinë është shumë e pasur me bimë medicinale të shumë llojeve, që janë e kanë qenë burim të ardhurash për banorët e krahinës. Janë të dëgjuara qershitë e Radovës, fiqtë dhe rrushi i Gropës së Zogut, arrat e Vrepckës dhe shumë vende të asaj zone. Akoma më të mira janë reçelërat dhe glikotë e krahinës.

Leskoviku është po aty ku ka qenë, me plot vlera njerëzore, historike, natyrore dhe turistike, të cilat duhet shfrytëzuar.