Politikë

Zbulohet lista e fituesve të Këshillit Kombëtar të PD, përjashtohen Ristani dhe Harxhi

Partia Demokratike ka publikuar listën fituese të anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Janë 300 anëtarë e rinj të Këshillit, të cilët janë zgjedhur pas votimit ditën e djeshme në Kuvendin Kombëtar.

Pjesë e listës janë emra të njohur në PD. Ndërkohë, vihet re se mungojnë ish-sekretari i përgjithshëm Arben Ristani dhe Edith Harxhi. Kjo e fundit garoi përballë Lulzim Bashës për të marrë drejtimin e partisë dhe është një ndër zërat më kritikë të kreut aktual të demokratëve.

Sakaq, risi në këshillin e ri janë Oriela Nebijaj, e cila nuk mundi të futej në Kuvend, djali i Sokol Olldashit, Glauk Olladashi, si dhe artisti Robert Budina.

Lista e plotë e fituesve:

Kujtojmë se statuti i PD-së parashikon që automatikisht anëtar të Këshillit Kombëtar të PD-së zgjidhen ish-presidentët, ish-kryeministrat, ish-kryetarët e Kuvendit, ish-kryetarët e PD-së, që janë anëtarë të partisë në momentin e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar.

Gjithashtu automatikisht zgjidhen deputetët, kryetarët e degëve, anëtarët e Kryesisë, anëtarët e kolegjit të kryetarëve të partive në degë, kryetarët e bashkive, të këshillave të bashkive dhe qarkut, gjithmonë ata që janë nën siglën e PD-së.

Edhe pse shumica e fjalimeve ishte ‘besnike’ të Bashës, disa prej tyre ishin vërtet kritikë. Zëri më kritik ishte deputeti i zgjedhur në Lezhë, Mark Marku i cili theksoi se PD-ja duhet të ndryshojë, pasi në të kundërtën rrezikon që të mbetet në opozitë edhe për 4 vitet e ardhshme. Edhe drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Bujar Leskaj mori përgjegjësinë e mosarritjes së rezultatit maksimal në qarkun e tij, por në analizën e tij tha se ka pasur kandidatë që kanë bërë fushatë individuale që ndikuan negativisht. Edhe Fatbardh Kadilli, ish-rival i Bashës në garën për kryetar, mbajti një fjalë me tone kritikuese.

Një nga kritikët më të ashpër të Bashës, Bujar Nishani zgjodhi ta bojkotonte këtë Kuvend Kombëtar, njëjtë edhe Agron Shehaj. Ky i fundit, ishte i pranishëm në sallën e Pallatit të Kongreseve, por refuzoi të merrte fjalën. Por edhe këtë herë Basha zgjodhi t’i injoronte, duke u larguar më herët nga punimet e Kuvendit Kombëtar duke zgjedhur të mos i dëgjonte disa prej fjalimeve.