Rajoni

Hagë, nis procesi për Sali Mustafën!

Në Gjykatën Speciale të Hagës nisi gjykimi ndaj ish-komandatit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Prokurori Jack Smith e akuzon se viktimat e tij ishin të gjithë bashkatdhetarë.

Ata njerëz nuk ishin armiq të vendit, nuk ishin spiunë, por, pjesëtarë të komunitetit, shqiptarë të pafajshëm të Kosovës, krimi i vetëm i të cilëve ishte se për një arsye apo një tjetër u panë si pengesë për UÇK-në e drejtuesit e saj, ndaj u etiketuan si bashkëpunëtorë.

Sipas Prokurorisë së Specializuar “faji i vetëm” i disa prej viktimave ishte se qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Prokurori Smith tha se krimet e luftës nuk justifikohen.

Kundërshtarët e kësaj gjykate përdorin shprehje si “lufta e pastër”. Si prokuror është përtej detyrës time t’ju tregoj cila është luftë e pastër, por mund të them që krimet e luftës në një anë nuk i justifikojnë krimet në anën tjetër.

Zyra e Prokurorit të Specializuar argumentoi se viktimat që ishin mbajtur në një qendër ndalimi në Zllash u cilësuan “bashkëpunëtorë në luftë”. Dy dëshmitarë në procesin ndaj Mustafës do të dëshmojnë më 20 dhe 28 shtator.

Ndërkaq, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa u deklarua i pafajshëm për akuzat për krime lufte. Prokurorinë e krahasoi me një zyrë të Gestapos, referuar shërbimit sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Pas përfundimit të fjalës hyrëse së Prokurorit të Specializuar, Salih Mustafa nuk u kthye në sallën e gjykimit pasi njoftoi avokatin se nuk dëshironte të ishte i pranishëm gjatë gjykimit. I akuzuar për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje, u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar e që nga ajo kohë gjendet në paraburgim, në Hagë të Holandës. Krimet për të cilat akuzohet, dyshohet se janë kryer në prill të vitit 1999, në një qendër ndalimi në fshatin Zllash të Prishtinës.