Aktualitet Politikë

Kuvendi i PD-së, Edi Paloka publikon firmat e delegatëve!

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, sot bëri publike për mediat, firmat e delegatëve që kërkojnë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor. Paloka hapi zyrën e tij për të treguar se aty janë dërguar 4.200 firma ndërsa deklaroi se krahas gazetarëve, edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike mund të vijnë e t’i verifikojnë firmat e delegatëve.

Unë kam detyrimin përderisa kam deklaruar që ditën e parë që kam marrë në dorëzim 4.200 formularë, kam detyrimin që t’ua vërtetoj kujtdo, gazetarëve, por edhe përfaqësuesve të PD-së. Këtu janë dorëzuar 4.200 formularë ditën e parë. Janë këtu për këdo që do t’i verifikojë. Ka ardhur një pjesë shtesë dje nga firmëtarët. Dua edhe njëherë ta theksoj, kush do ta verifikojë janë apo jo 4200 formularë në zyrën time, të vijë dhe ta verifikojë! Në formular, përveç gjeneraliteteve është edhe pozicioni që mban çdo delegat. Statuti e ka të përcaktuar qartë se kush është delegat.

Kryetari i Këshillit Kombëtar sqaroi se nëse këta formularë janë të vërtetë kjo sqarohet në Komisionin e Mandateve dhe se nëse Komisionin e Mandateve nuk e ngre kryetari i partisë, atëherë, këtë e bëjnë nismëtarët. Edi Paloka theksoi se vërtetësia e të dhënave të formularëve do të verifikohet ditën e Kuvendit.

Një ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi deklaroi se asnjë firmë nuk është depozituar për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Sipas tij, “PD është institucion legal” dhe “çdo kërkesë, aq më tepër e shumicës së demokratëve duhet depozituar në Zyrën e Protokollit”. Mbi 4 mijë firmat nga ish-kryeministri Berisha, i cilësoi “tallje e blof ndaj demokratëve”, duke pretenduar se nuk janë mbledhur.

Dua të konfirmoj për çdo demokrat se në PD nuk ka ardhur deri në këtë moment asnjë kërkesë për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Ajo që shqiptarët, por veçanërisht mbështetësit e PD-së kanë parë gjatë këtyre muajve ka qenë një blof i madh, një tallje me sakrificat dhe mundin e demokratëve për hallet dhe problemet personale. Sepse nuk u arrit që pas dy muajsh kontakti me demokratët të siguroheshin firmat e ¼ të anëtarëve të partisë për nisjen e Kuvendit Kombëtar. Prej dy muajsh thuhet se duhet të mbledhur Kuvendi i PD-së, se ka një çështje të tij zoti Berisha, që duhet ta shtrojë për diskutim. Por, në momentin që skadon afati, bëhet një show për demokratët, duke thënë se kemi firmat, por edhe shumicën, por s’i tregojnë. Nëse i kanë firmat t’i depozitojnë në Protokollin e PD-së, çdo institucion i partisë ka përgjegjësinë për të respektuar vullnetin e demokratëve. Nuk jemi institucion në ilegalitet. I vetmi hall i demokratëve është largimi një orë e më parë i regjimit të Edi Ramës. Me kë tallen këta? Me kë tallen? Apo do të verifikojnë firmat e njëri-tjetrit? Kjo parti është institucion dhe duhet të respektohet. Aq më tepër kur bëhet fjalë për ish-drejtues të lartë të kësaj partie. Por blofin me demokratët, këta të fundit nuk ia kanë borxh askujt!