Lancio Music

36 vite pas publikimit, kënga e famshme thyen rekord!

“Last Chrismtas” është padyshim një nga këngët që na kujton festat e fundvitit. Pas “All I Want for Christmas” kjo është një nga këngët më të dëgjuara për Krishtlindje e Vit të Ri dhe më në fund pas 36 vitesh nga publikimi ja ka arritur qëllimit.

Deri në ditën e fundit të 2020-ës kënga mbante rekordin e shitjes së 1.9 milion kopjeve, por pa qenë asnjëherë në krye të klasifikimit britanik. Por në ditët e para të 2021-shit, vjen dhe e papritura. Falë 9.2 milion dëgjimeve online, kënga arrin objektivin e pritur prej 36 vitesh, vendin e parë në klasifikim. Kjo nuk ishte hera e parë që kënga i afrohej vendit të parë, sepse gjatë këtyre viteve të fundit i ishte afruar kryes 6 herë, por nuk kishte arritur kurrë në vendin e parë.

Rikujtojmë, se katër vjet më parë pikërisht në ditën e Krishtlindjeve, u nda nga jeta George Michael, autor i këngës dhe bashkëintepretues me Andrew Ridgeley. Ky i fundit u shpreh se ndihej shumë i lumtur dhe i habitur, por dhe i vlerësuar që kënga ikonë e Krishtlindjeve më në fund kishte privilegjin e të qenit numri një.