Aktualitet

Rrjeti elektrik në Dibër e Vlorë, ende me pasoja nga moti i keq!

Moti i keq, shoqëruar me reshje shiu, stuhi erë dhe borë, ka sjellë pasoja në rrjetin elektrik. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) bën të ditur se probleme janë shfaqur në zonat rurale, të cilat furnizohen me rrjet ajror dhe gjatësi dhjetëra kilometra.

Afro 95% e defekteve janë shfaqur në fshatra, zona të thella, ku me rënien e borës dhe shpejtësinë e erës deri në 150 km, kanë sjellë defekte në linjat e tensionit të mesëm dhe të ulët. Nga raportimi i orës 12:00, rezulton se kemi përmirësim në të gjitha rajonet e vendit, në masën 80% dhe rikuperim të defekteve brenda 2 orësh, me normalizimin e motit.

Sipas OSSH-së, problem mbeten rajoni i Dibrës ku në disa zona, bora arrin 60 cm dhe në Vlorë prej stuhisë me erë të fortë. OSSH informon se brigadat ndodhen në gatishmëri të plotë prej më shumë se tre ditësh dhe puna është organizuar, duke përforcuar zonat e caktuara, me stafe shtesë e bazë materiale.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) informon se reshjet e shiut gjatë ditëve të fundit kanë rritur prurjet në kaskadën e Drinit, në sasinë e 1220 m3/s, ndërsa prodhimi është mbi 10 mijë MWh.

Prurjet natyrore në Kaskadë janë 1220 m3/s. Niveli i liqenit të HEC-it të Fierzës është 267.5 m, ndërsa kuota maksimale është 296 metra. Niveli i liqenit të HEC-it të Komanit është 169.7 m, ndërsa kuota maksimale është 175.5 m. Niveli i liqenit në HEC-in e Vaut të Dejës është 74.3 m, ndërsa kuota maksimale është 76 m.

Sipas të dhënave të publikuara në mesditën e sotme nga KESH, aktualisht po prodhohet 10.150 MWh energji me kapacitet të plotë në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës. Në HEC-in e Fierzës nuk po prodhohet energji, me qëllim akumulimin e prurjeve dhe rritjen e rezervës energjetike.