Politikë

Kreu i PD, Lulzim Basha: Përballja e demokratëve do bëhet si them unë jo si kërkon Berisha

Kryedemokrati Lulzim Basha në konferencën për mediat, të fundit për 2021, e ka cilësuar si vit të mbrapshtë për shqiptarët. Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, qeveria Rama është mbytur nga skandale, ku më i fundit ishte ai i rrjedhjes së listës së pagave të mbi 600 mijë qytetarëve shqiptarë.

Lulzim Basha përmendi pastrimin e politikës përmes 3 mënyrave, së pari zgjedhjet, së dyti drejtësia për shqiptarët dhe pika e tretë që kryedemokrati cilëson është vettingu i polikanëve bashkë me ligjin antimafia.

Basha u bëri thirrje demokratëve të mos dëgjojnë fjalët e tre brinjëve të trekëndëshit të Bermudës të cilat sipas tij flasin me të njëjtin diskurs. Basha u shpreh se përballja e demokratëve do të jetë me Ramën ashtu si thotë ai, dhe jo me njëri tjetrin ashtu si thotë Berisha. Sipas tij Berisha kërkon të krijojë një celulë anti amerikane për t’u mbrojtur nga non grata.

“Hidhet baltë ndaj meje dhe atyre që nuk ndajnë të njëjtin mendim me zotin Berisha sa i takon flijimit të Partisë Demokratike dhe kthimit të PD në celulë anti amerikane për të mbrojtur atë nga non grata. Përballja e demokratëve do jetë kështu si them unë dhe jo ashtu si thotë Berisha.

Demokratët përballë Ramës dhe jo demokratët përballë njëri tjetrit. Thirrja ime ndaj çdo demokrati është të dëgjoni si flasin me të njëjtat fjalë dhe kuptoni që janë të lidhur me njëri tjetrin ashtu si kanë qenë këto 30 vite. Një ditë na ndan nga viti tjetër. Shqipëria do shpërfillë çdo thirrje për të ndjekur një tollovi për interesat e një personit të vetëm. Demokratët nuk kanë beteja me njëri tjetrin por me Edi Ramën.

“Votat kundër meje janë një gënjeshtër. Lutja ime është të mos vazhdoni qarkullimin e kësaj gënjeshtre. Nuk ka koncesion të portit të Durrësit. Është një aferë korruptive e Edi Ramës. Dëshiron ta zgjerojë atë aferë. Persona që fshihen pas kësaj afere janë karaktere të dyshimta. Qëndrimi i PD është i qartë. Porti i Durrësit është aferë e pastër korruptive”, u shpreh Basha.