Bota

4 muaj luftë në Ukrainë, forcat ukrainase tërhiqen nga Severodonjecku!

Sot mbushen plot katër muaj nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, që nisi më 24 shkurt dhe vijon me luftime, tashmë të përqendruara në rajonin lindor Donbas. Një këshilltar i presidentit Zelensky tha se “luftimet në Donbas kanë arritur një kulm të frikshëm”. Sulmet e Moskës kanë në shënjestër qytetet fqinje të Severodonjeckut e Lisiçanskut, pozicionet e fundit të mbetura nën kontrollin e forcave ukrainase në provincën Lugansk.

Guvernatori i Luganskut, Serhiy Gaidai deklaroi sot se “trupat ukrainase duhet të tërhiqen nga qyteti i Severodonjeckut”, që kryesisht është nën kontrollin e forcave ruse. “Të qëndrosh në vende të shkatërruara për shumë muaj vetëm për hir të qëndrimit atje, nuk ka kuptim”, – theksoi Gaidai. Pushtimi rus ka çuar në kundërpërgjigje të paprecedentë nga Perëndimi, me sanksione që synojnë sektorët financiar, energjetik e të turizmit në Rusi.

Pas dy ditësh, udhëheqësit e vendeve të G7-ës takohen në Gjermani për të përcaktuar më tej përgjigjen ndaj sulmeve të Rusisë në Ukrainë. Ndërkohë, javën e ardhshme, anëtarët e NATO-s mblidhen në Spanjë për të diskutuar çështje të sigurisë, me Finlandën dhe Suedinë që kërkojnë t’i bashkohen Aleancës.

Presidenti Zelensky përshëndeti vendimin për t’i dhënë Ukrainës, statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Kryetari i shtetit e quajti “moment unik e historik në marrëdhëniet me Unionin”. “E ardhmja e Ukrainës është në BE”, – shkroi në një postim në Twitter. Më 28 shkurt, katër ditës pas nisjes së pushtimit, Ukraina aplikoi për t’u bërë anëtare e BE-së.

Në samitin e djeshëm në Bruksel, liderët e Bashkimit Europian vendosën t’i jepnin Ukrainës statusin e kandidatit zyrtar për anëtarësim në Bllokun prej 27-anëtarësh. BE-ja ka qenë kryesisht e bashkuar në mbështetjen e Ukrainës që kur Rusia e pushtoi më 24 shkurt, në emër të operacionit special ushtarak për çmilitarizimin e denazistifikimin e fqinjit, duke miratuar sanksione ekonomike të forta për të izoluar Moskën.