Aktualitet

’41-BISS’, zgjatet me 1 vit, izolimi për 4 të burgosur!

Shtatë të burgosurve Emiliano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqa, Endrit Zela, Blerim SHullazi, Arbjon Aliko dhe Genci Balla u përfundoi afati një vjeçar i mbajtjes në regjim të ashpër 41 bis.

“Në regjimin e ashpër 41 bis do të vijohet të mbahen 4 nga shtatë personat e akuzuar për krime të terrorizmit dhe të krimit të organizuar”.

Ndryshe nga Gulmando Dani, Blerim Shullazi dhe Endrit Zela, të cilët kthehen në regjimin e zakonshëm, për  Emiliano Shullazin dhe Endrit Qyqjen është vendosur që të mbahen edhe për një vit tjetër në izolimin e  41 bis pranë 313. I njëjti vendim është marrë edhe për Arbjon Alikon, i riu lazaratas që u dënua për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha si dhe Genci Balla anëtar i grupit të imamëve i shpallur fajtor për rekrutimin e gati 100 shtetasve shqiptare përkrah ISIS në Siri.

Bazuar në modelin italian, Shqipëria hapi dy burgje te regjimit të ashpër që ju ndalon të burgosurve të identifikuar si të rrezikshëm kontaktin me persona të tjerë si dhe telefonata të kontrolluara. Por secili nga këto dy burgje, njëri pranë 313 dhe tjetri në Peqin aktualisht kanë vetëm nga dy të burgosur, shumë larg asaj që u trumbetua në fillesat e investimit.

Mirëpo ky parashikim mbeti vetëm një deklaratë, mbasi për një vit me radhë veç këtyre emrave Ministrja e Drejtësisë përmes firmës se saj nuk dërgoi askënd tjetër në 41 bis.