Bota

Mbretëria e Bashkuar rikthen ambasadën e saj në Kiev!

Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se Mbretëria e Bashkuar do të rihapë ambasadën e saj në Kiev javën e ardhshme, pasi misioni diplomatik u zhvendos në Lviv disa ditë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Duke folur më 22 prill gjatë vizitës në Indi, Johnson tha se “ne javën e ardhshme do të rihapim ambasadën tonë në kryeqytetin ukrainas”. Megjithatë, ai nuk tregoi datën e saktë se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

Ndërkaq, sekretarja e Jashtme, Liz Truss, përmes një deklarate për media tha se rihapja e ambasadës do të ndodhë për shkak të “qëndresës që jashtëzakonshme dhe suksesit” të rezistencës së Ukrainës ndaj forcave ruse.

“Dua të përgëzojë ekipin e ambasadës për trimërinë dhe për punën e tyre gjatë kësaj periudhe”, tha Truss.

Më herët gjatë këtij muaji, kryeministri britanik, Boris Johnson, kishte vizituar Kievin për të shprehur mbështetjen për Ukrainën, shtet që prej 24 shkurtit po përballet me pushtimin rus.

Më herët Franca, Sllovakia, Çekia kanë rihapur ambasadat e tyre në Kiev pasi ushtria e ruse njoftoi tërheqjen e saj nga rajoni i Kievit, ndërsa forcat e saj i ka përqëndruar në rajonin lindor të Ukrainës!