Aktualitet

Statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” iu jepet 11 përfituesve të parë!

11 fëmijëve të parë, kryeministri Rama u dorëzoi sot statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, me mirënjohjen e thellë për prindërit e tyre që dhanë jetën për mbrojtjen e jetës së të tjerëve.

Ata lanë pas edhe amanetin e heshtur për ne që të mos t’ju lëmë juve për asnjë çast vetëm. Ky takim i sotëm është për ta shpallur publikisht të përmbushur këtë amanet që u kthye në zotimin tonë dhe u bë ligji i parë i mandatit të tretë.

Kryeministri shtoi se “kujtimi i tyre i paharrueshëm u bë shtyë e madhe”.

Statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” nuk është më zotim, por risi e veçantë e jetës sonë që aktet e vetëmohimit i japin kuptimin më të madh. Asnjë gjë nuk e zëvendëson dot figurën e prindërve, por dhënia e kujdesit financiar për fëmijët, të barabartë me pagën e prindit për fëmijën e parë dhe përshkallëzim për fëmijën e dytë, të tretë e me radhë, është më në fund një mbështetje e plotë pas një periudhe të gjatë kohe kur mbështetja e fëmijëve të prindërve të vetësakrifikuar për atdheun, ligjin, moralin më të lartë njerëzor ishte krej e pamjaftueshme.

Rama tha se “statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” parashikon marrjen e shërbimit spitalor falas në institucionet publike e private e kur është nevojshme edhe në strukturat më të specalizuara jashtë vendit”. Po ashtu, “parashikon gjithë procesin e shkollimit me bursa të plota dhe përjashtim nga të gjitha tarifat, për të ardhur te orientimi profesional e mbështetja shtetërore për punësimin e tyre”.

Ky status u takon të gjithë fëmijëve të dëshmorëve, mjekëve dhe infermierëve që humbën jetën në vijën e parë të luftës me armikun e padukshëm. Bëhet fjalë për të gjithë fëmijët që ende nuk kanë dalë në rrugën e jetës, si zotër të jetës së tyre. Sot këtu janë 11 të parët dhe ndërkohë Komisioni i Posaçëm që drejtohet nga ministrja Manastirliu, i ngritur sipas ligjit vijon me trajtimin e rasteve të tjera.

Përtej dëshirave tona qëndron gjithmonë muri i pamundësisë, të cilin duhet ta shtyjmë çdo ditë me shumë durim dhe forcë, në mënyrë që të zgjerojmë hapësirën e mundësive. Dhe ajo zgjerohet me shumë përpjekje, durim, duke punuar pa u lodhur. Zgjerohet duke mësuar çdo ditë dhe duke u përpjekur të vëmë në jetë çdo ditë një mësim të ri.