Politikë

Ndarja nga jeta e Nishanit, Blinken: Ka kontribute në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Bujar Nishani. Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, Blinken thotë se SHBA ndan dhimbjen me popullin shqiptar për ndarjen nga jeta të ish-presidentit.

“Kontributet e tij në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri,” shton Sekretari amerikan i Shtetit, “do të lënë një trashëgimi të qëndrueshme.”

ANTONY BLINKEN NË TWITTER

“Ndajmë dhimbjen e popullit shqiptar për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Bujar Nishani. Kontributet e tij në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe partneriteti ynë i qëndrueshëm do të lënë një trashëgimi të qëndrueshme.”

Kujtojmë se trupi i pajetë ish-presidentit të Republikës, Bujar Nishani do të mbërrijë në Shqipëri ditën e sotme. Ish-kryetari i shtetit ndërroi jetë të shtunën e 28 majit në një spital në Gjermani, ku ishte i shtruar prej një muaji.

Nishanit do t’i kryhen të gjitha nderimet e fundit në një ceremoni shtetërore. Ai ishte presidenti i 6-të i Shqipërisë post-komuniste.

Nishani po kurohej në spitalin universitar Charite në Berlin. Ai u shtrua fillimisht në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, pasi kishte komplikacione të post-covid. Ish-presidenti u dërgua për mjekim më të specializuar, por shëndeti i tij u përkeqësua për shkak të insuficiencës pulmonare të theksuar.