Bota

SHBA, Gjykata e Lartë rrëzon ligjin që kufizonte mbajtjen e armëve në publik

Në Shtetet e Bashkuara, Gjykata e Lartë rrëzoi të enjten një ligj që vendoste disa kufizime për mbajtjen e armëve në shtetin e Nju Jorkut, një vendim ky që pritet të ketë ndikim në shumë shtete të tjera sa i përket armëmbajtjes.

6 gjyqtarë votuan pro rrëzimit të ligjit dhe 3 votuan kundër, ndërsa pritet që pas këtij votimi shumë njerëz të mbajnë armë në rrugët e qyteteve më të mëdha të vendit, duke përfshirë Nju Jorkun, Los Anxhelosin, Bostonin etj.

Gjykatësi Clarence Thomas, i cili shprehu qëndrimin e shumicës së kësaj gjykate, tha se Kushtetuta mbron “të drejtën e një individi për të mbajtur një pistoletë për vetëmbrojtje jashtë shtëpisë”.

Me këtë vendim të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara rrëzohet një ligj i shtetit të Nju Jorkut që iu kërkonte banorëve të tregonin se kishin nevojë të veçantë, në mënyrë që të mbanin një armë me vete në publik.

Por sipas 6 gjyqtarëtve të Gjykatës së Lartë kjo kërkesë shkel të drejtën e garantuar nga Amendamenti i Dytë, për mbajten e armëve. Shumë shtete të tjera si Kalifornia, Merilend, Nju Xhersi etj. kanë ligje të ngjashme.

Vendimi nga Gjykata e Lartë vjen pasi dy senatorë demokratë dhe republikanë njoftuan të martën se është arritur një marrëveshje mbi një projekt-ligj dypartiak, kundër dhunës me armë, duke i hapur rrugën një votimi nga Kongresi në përgjigje të incidenteve me armë në Teksas dhe Nju Jork që tronditën vendin.

Projek-ligji do të kërkonte kontrolle më të forta për biografinë e blerësve të armëve në moshë të re, do të kërkonte më shumë kontrolle të biografisë të shitësve dhe do të rriste gjobat për trafikantët e armëve.

Projekt-ligji gjithashtu parashikon fonde për shtetet dhe komunitetet që synojnë përmirësimin e sigurisë në shkolla dhe për nismat e reja të trajtimit të problemeve të shëndetit mendor.