Sport

45 fitore radhazi, merr fund rekordi unik! Barcelona për femra “feston” edhe me humbje

Barcelona për femra siguroi në fundjavë kualifikimin në finalen e Champions League për të dytin vit radhazi. Skuadra katalanase fitoi 5-1 gjysmëfinalen e parë ndaj gjermaneve të Wolfsburgut.

Atmosfera në “Camp Nou” ishte fantastike. 91.648 tifozë shijuan suksesin me “manita” në stadiumin mitik, duke vendosur një rekord absolut në futbollin e femrave, që vitet e fundit është zhvilluar shumë.

Wolfsburg reagoi në gjysmëfinalen e dytë, por fitorja 2-0 nuk ishte e mjaftueshme. Në finale kaluan vajzat e Jonatan Giraldez, të cilat i dhanë fund ecurisë së jashtëzakonshme prej 45 ndeshje me fitore!

Barcelona kishte regjistruar humbjen e fundit më 1 qershor të vitit 2021: 4-3 ndaj Atletico Madrid, sfidë e vlefshme për sezonin 2020/2021 në Spanjë. Ishte e vetmja disfatë në një sezon të dominuar me 33 fitore dhe golavarazh +152 gola.

Pas asaj humbjeje erdhën 45 fitore radhazi deri në takimin e 30 prillit ndaj Wolfsburgut. Gjithsesi, Jenifer Hermoso me shoqe janë fokusuar te finalja e madhe e 21 majit, që do të luhet në Allianz Stadium (Torino).

Finalja e tretë në katër vitet e fundit, Barcelona kërkon suksesin e dytë radhazi në Champions League për femra dhe tripletën e dytë radhazi. Përballë do të jetë ekipi i femrave të Lyonit, rekordmenet e këtij turneu me 7 trofe.