Bota

450 milion euro hua për refugjatët ukrainas!

Banka për Zhvillim (CEB) e Këshillit të Europës nënshkroi marrëveshje me Poloninë për të ofruar një kredi rekord prej 450 milion eurosh, në mbështetje të mbi 4 milion refugjatëve ukrainas në Poloni. Në një deklaratë theksohet:

Marrëveshja e huasë u firmos nga guvernatori i CEB-it, Carlo Monticelli dhe ministres polake të Financave, Magdalena Rzeczkowska.

Huaja më e madhe e CEB-it do të ndihmojë përpjekjet e Polonisë për t’u përballur me fluksin masiv të ukrainasve që ikin nga lufta e Rusisë në territorin e tyre. Monticelli sqaroi:

Vlera e madhe e huasë që ne nënshkruam, tregon vendosmërinë e qartë të CEB-it për të mbështetur Poloninë në kohë e në mënyrë efektive për të tejkaluar një sfidë të paprecedentë ekonomike dhe një tragjedi njerëzore.

Aktualisht, Polonia strehon mbi 4 milion banorë të zhvendosur nga Ukraina, kryesisht gra, fëmijë e të moshuar.

E themeluar në vitin 1956, Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, CEB ka në përbërje 42 shtete anëtare dhe synon të mbështesë vazhdimisht në kohë e me efektivitet, refugjatët dhe migrantët.

Sipas vlerësimeve zyrtare të Kombeve të Bashkuara, të paktën 4 mijë e 677 civilë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës, në datën 24 shkurt. Por, nuk ka dyshime se në pamundësi për të verifikuar me saktësi në terren, shifra reale është shumë herë më e lartë. Po sipas të dhënave të OKB-së, mbi 14 milion banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, duke përfshirë më shumë se 8 milion që kanë ikur në vende të tjera.

Polonia, shtet fqinj me Ukrainën angazhohet të ndihmojë sa më shumë, edhe duke dërguar armë e automjete të blinduara, me synimin për të parandaluar një përhapje të mëtejshme të konfliktit ruso-ukrainas, që do të rrezikonte të përfshinte edhe territorin polak. Katër muaj më parë, presidenti Vladimir Putin dha urdhër të niste ai që për Moskën është “operacion special ushtarak për të çmilitarizuar Ukrainën”.