Aktualitet

Nano: Të bëhet drejtësi! Sot në pikat e bllokimit dhjetëra Jet ski, skafe e gomone; do verifikohen

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, tha nga Dhërmiu se tani ka dalë vetë në krye të punës dhe po bllokojnë, sekuestrojnë dhe verifikojnë çdo mjet lundrues që nuk përmbush kriterët për të lundruar në det.

Teksa shprehu keqardhje për çfarë kishte ndodhur me 7-vjeçaren, Gledis Nano vlerësoi se veprimi i një punonjësi policie nuk mund të përbalte punën e mijëra burrave dhe grave që po punojnë ditë dhe natë për sigurinë e qytetarëve në plazhe.

https://www.facebook.com/policiashtetitshqiptar/videos/2408490892791358/?t=0

Gledis Nano gjendet në jug pas tragjedisë së vrasjes së 7-vjeçares në Potam nga një efektiv policie, i cili më herët kishte qenë i pezulluar pas hetimeve për bashkëpunim në kultivimin e lëndëve narkotike me grupet kriminale në zonë. Deri më tani policia nuk ka sqaruar zyrtarisht se në pronësi të kujt ishte skafi me të cilin Tase vrau vogëlushen dhe në çfarë rrethanash ish komisari e kishte në përdorim.

Ish efektivi Arjan Tase mund të dënohet nga 5 vjet deri me vetëm një gjobë. Tase akuzohet për “Vrasje nga pakujdesia”, e cila në nenin 85 të kodit penal parashikon gjobë ose maksimumin e dënimit deri në 5 vite burg.

Ishte Agjencia e Mbikëqyrjes Policore që me anë të një njoftimi zyrtar tha se Arjan Tase, polici që vrau me skaf 7-vjeçaren në Potam të Himarës, po hetohet nën akuzën “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”.

Ish efektivi futi skafin në hapësirën e rrethuar për pushuesit. Pasi zbarkoi në breg familjarët e tij në bord, kreu manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime, 15 metra larg bregut, ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, Jonada Avdiun duke i shkaktuar humbjen e menjëhershme të jetës.