Bota

46 emigrantë të vdekur në Teksas, guvernatori Abbot: Fajin e ka Joe Biden!

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbot, fajëson presidentin amerikan Joe Biden për vdekjet në San Antonio të Teksasit, duke e përshkruar situatën si “rezultat i politikave të tij vdekjeprurëse për kufij të hapur”. Beto O’Rourke, kandidati demokrat i cili garon kundër Abbot-it, u shpreh se raportimet janë të rënda dhe bëri thirrje për “shkatërrim të rrjeteve të kontrabandës e zëvendësim të tyre me rrugë të gjera për emigracion të ligjshëm”. Kjo është çështje sfiduese në politikën e Shteteve të Bashkuara.

Në muaj maj, autoritetet amerikane regjistruan rekord të personave pa dokumente, të cilët u arrestuan pas kalimit të kufirit nga Meksika. Shumë prej tyre kishin pranuar të udhëtonin në rrugë jashtëzakonisht të rrezikshme. Për t’i ikur varfërisë e dhunës në vendet nga vijnë në Amerikën Qendrore, shumë emigrantë pa dokumente përfundojnë duke paguar shuma të mëdha parash për trafikantët që t’i dërgojnë në kufirin amerikan.

Vitet e fundit është raportuar për disa raste kur klandestinët kanë vdekur gjatë rrugës, por ky i San Antonios nuk është i njëjti. Në San Antonio, klima është e nxehtë në muajt e verës, me temperatura që arrijnë deri në 40 gradë celcius. Të paktën 46 persona, të cilët besohet se ishin emigrantë u gjetën të vdekur në një kamion të braktisur në San Antonio të Teksasit. Ndërkohë, 16 të tjerë, përfshirë katër fëmijë, u dërguan në spital.

Të mbijetuarit po vuajnë pasojat e të nxehtit përvëlues pasi qëndruan me orë të tëra pa ajrosje, në mjet. San Antonio, qytet rreth 250 kilometra nga kufiri mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës është rrugë kryesore tranziti për trafikun ilegal të njerëzve. Zakonisht, trafikantët përdorin kamionë për t’i transportuar pa dokumente, për të kaluar në Amerikë. Tre vetë u ndaluan nga zyrtarët amerikanë dhe hetimet për rastin tragjik po kryhen nga agjentët federalë.

Sekretari Amerikan për Sigurinë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, u shpreh me tone të ashpra duke akuzuar organizatorët e trafiqeve të tillë.

Trafikantët e njerëzve janë individë pa shpirt, që nuk mbajnë parasysh njerëzit e cënueshëm, të cilët i shfrytëzojnë për të rrezikuar rendin e për të përfituar.