Bota

Giorgia Meloni konfirmon mbështetjen e Italisë për Ukrainën!

“Ukraina mund të llogarisë mbështetjen e Qeverisë së re italiane”. Kjo theksohet nga liderja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, në mesazhin dërguar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Në një postim në Twitter, shkruan:

E dini se mund të llogarisni mbështetjen tonë besnike në kauzën për lirinë e popullit ukrainas. Qëndroni të fortë dhe kini besim!

Meloni iu përgjigj mesazhit të urimit të Zelensky-t, pasi partia e saj, “Vëllezërit e Italisë”, fitoi zgjedhjet politike të 25 shtatorit. Presidenti ukrainas shprehej:

Ne vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus, si dhe veçojmë partneritetin produktiv me Qeverinë italiane.

Kryeministri në largim i Italisë, Mario Draghi ishte një prej mbështetësve më të fuqishëm të sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë, edhe pse se Italia ka varësi të madhe ndaj gazit rus. Gjithashtu, Roma dërgoi armë për të ndihmuar Kievin të luftojë forcat e presidentit rus, Vladimir Putin.

Meloni është euroskeptike, por ka mbështetur qëndrimin e Draghit sa i përket Ukrainës, edhe pse aleatët e saj në koalicionin zgjedhor, lideri i partisë Liga, Matteo Salvini e ish-kryeministri Silvio Berlusconi, kanë raporte të mira me Moskën. Meloni pritet të bëhet e para kryeministre grua e Italisë dhe të udhëheqë një qeveri të djathtë, me prirjet më ekstreme që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Por, në lidhje me Rusinë, ajo bëri ndryshimin më të madh në qëndrim. Si e djathta, ashtu edhe e majta italiane, historikisht kanë qenë të buta me Kremlinin, shpesh të zëna ngushtë nga turizmi rus dhe kontratat fitimprurëse të gazit.

Meloni pati kundërshtuar sanksionet e BE-së kundër Kremlinit, pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Katër vjet më vonë, përshëndeti fitoren e presidentit Putin, duke thënë se “paraqet vullnetin e qartë të popullit rus”. Megjithatë, kohët e fundit ka kritikuar pushtimin rus të Ukrainës, ka mbështetur sanksionet kundër Rusisë dhe madje ka qenë në favor të dërgimit të armëve në Kiev, gjë për të cilën italianët, në përgjithësi, janë të përçarë. Disa zyrtarë në Bruksel e mirëpritën ndryshimin e qëndrimit të saj, duke shfaqur besimin se po e bën këtë për të treguar se është partnere e besueshme.