Bota

Rusët që i ikin ushtrisë, vërshojnë Azinë Qendrore

Kazakistani, vend në Azinë Qendrore, është mbushur me rusë që i druhen luftës së përgjakshme të Kremlinit në Ukrainë.

Prej se presidenti rus, Vladimir Putin, kërkoi mobilizim të pjesshëm ushtarak për këtë luftë, më 21 shtator, pamjet e rusëve që enden rrugëve të Kazakistanit me çanta shpine, janë bërë të zakonshme.

Ashtu duken edhe radhët në kufijtë e shteteve, ku rusët mund të kalojnë pa viza.

Panikun e kanë thelluar raportet se Rusia mund t’i mbyllë së shpejti daljet, së paku për burrat në moshë luftarake.

Në Oral të Kazakistanit, ku një kinema e quajtur “Cinema Park” ka ofruar strehim për rreth 200 rusë fundjavën e kaluar, korrespondentët e Radios Evropa e Lirë kanë parë banorë vendas duke u ofruar pilaf rusëve të mbledhur në stacionin e trenit të qytetit.

“U ndihmojmë sa të mundemi. Nëse do të mund të bënim më shumë, do të bënim”, tha një vullnetar me emrin Miras.

Megjithatë, në mesin e vendasve ka edhe frikë nga rritja e re e kostos së jetesës. Inflacioni atje tashmë është i lartë.

Disa kanë dyshime për të ardhurit e çuditshëm, shumë prej të cilëve pranojnë se nuk dinë asgjë për vendin ku kanë mbërritur.

Më 26 shtator, një burrë udhëtoi me biçikletë nga qyteti kazak, Karaganda, në kryeqytetin Astana, me një pankartë në çantën e shpinës që u bënte thirrje autoriteteve ta mbyllnin kufirin me Rusinë.

“Është koha të mendojmë për të ardhmen e republikës sonë”, tha aktivisti Askar Nurmaganov për Shërbimin kazak të Radios Evropa e Lirë.

Si motive të protestës së tij, ai përmendi rrezikun nga rritja e çmimeve dhe konkurrencën për punësim.

Tri ditë para protestës së Nurmaganovit, dy kazakë u arrestuan për një kohë të shkurtër, për shkak të një demonstrate në aeroportin e qytetit më të madh, Almati.

Njëra nga protestuesit, studentja Qaragoz Qasym, i tha Shërbimit kazak të Radios Evropa e Lirë se “dëshironte të tregonte se çfarë mendojnë njerëzit në vendin tim për të gjitha këto”.

“Nuk ka asnjë garanci se ata që po mbërrijnë këtu tani, nuk do të na godasin me thikë pas shpine më vonë”, tha Qasym, duke aluduar, me gjasë, në mbështetjen e mundshme të të ardhurve për separatizmin në vendin multietnik.

“Duhet të garantojmë sigurinë e tyre”

Kazakistani është i vetmi vend nga Azia Qendrore, anëtar i Bashkimit Ekonomik Euroaziatik të udhëhequr nga Moska, që kufizohet me Rusinë.

Ashtu si Gjeorgjia në Kaukaz, Kazakistani ka parë radhë kilometërshe të rusëve në makina, në këmbë dhe në motorë, që po largoheshin për t’i shpëtuar mobilizimit ushtarak.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë më 21 shtator se do të mobilizohen vetëm ata që kanë përvojë përkatëse luftarake dhe shërbimi, e jo rekrutët dhe studentët.

Por, shpejt janë shfaqur edhe raportet se Kremlini ka krijuar një rrjet më të gjerë, me në shënjestër pakicat etnike.

Autoritetet e Kazakistanit kanë bërë përpjekje të zbusin frikën e vendasve për ndikimet në tregun e punës, ndërsa kanë pranuar se flukset e rusëve – që hyjnë dhe kalojnë transit ditëve të fundit – janë dy ose tri herë më të mëdha se nivelet e vitit të kaluar.

Sipas ligjit kazak, rusët mund të qëndrojnë deri në 30 ditë pa regjistrim dhe 60 ditë të tjera më pas, por u duhet një shkresë nga Qeveria e tyre për të aplikuar për qëndrim më të gjatë.

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, ka thënë më 27 shtator se shumica e rusëve që vijnë në vendin e tij, “janë të detyruar të largohen, për shkak të situatës aktuale të pashpresë”.

“Ne duhet të kujdesemi për ta dhe të garantojmë sigurinë e tyre”.

“Ne do të zhvillojmë bisedime me palën ruse dhe do ta zgjidhim këtë problem në interes të vendit tonë”, ka thënë ai, duke folur nga rajoni Turkestan i Kazakistanit.