Politikë

Ofendoi Taulant Ballën, Petrit Vasili përjashtohet 5 ditë nga Kuvendi

Deputeti Petrit Vasili është përjashtuar për 5 ditë nga Kuvendi, pasi sipas Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, ka fyer kreun e grupit parlamentar socialist, Taluant Ballën.

Çfarë ndodhi?

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, po mbante fjalën nga vendi në sallën e Kuvendit, ku u ndërpre nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Në këtë moment Vasili iu drejtua Ballës me fjalë ofenduese: Mos bëj si idiot, na lërë ta lexojmë..

Edhe Balla nuk është kursyer ndaj Vasilit me ofendime duke e cilësuar si “debil”.

Është dashur tërheqja e vëmendjes nga Lindita Nikolla që të qetësojë dy deputetët.

Njoftimi i Kuvendit:

Në drejtimin e znj. Klotilda Bushka, ditën e sotme u mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për shqyrtimin e kërkesës së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, marrë shkas nga sjellja joparlamentare e deputetit z. Petrit Vasili, ku gjatë leximit dhe interpretimit jo të saktë të Rregullores së Kuvendit dhe në kundërshtim me procedurat, ju drejtua me fjalë fyese Kryetarit te Grupit të PS, z. Balla, në fillim të punimeve te seancës plenare, datë 24.11.2022.

Në zbatim të nenit 63 pika ç dhe nenit 65/1 të Rregullores së Kuvendit, Sekretariati vendosi me 3 vota Pro, marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 5 (pesë) ditë” për deputetin z. Petrit Vasili.

Ky vendim hyn në fuqi në datën 25.11.2022