Aktualitet

“5 Maji”, PD kallëzon në SPAK kryebashkiakun Veliaj!

“Për shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, Partia Demokratike kallëzoi sot në SPAK kryebashkiakun Erion Veliaj dhe të tjerë zyrtarë të Bashkisë Tiranë. Në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi thuhet:

Bashkia Tiranë si autoritet kontraktor ka kualifikuar dhe shpallur fitues në tenderat e rindërtimit në lagjen “5 Maji” në Tiranë, me vlerë më shumë se 10 milion euro, kompaninë në pronësi të shtetasit Anton Gjinaj alias Pashk Rapi, person me rekorde të rënda kriminale. Pronari i kompanisë është një person i dënuar për trafik droge në Itali dhe Spanjë, zotërues i shoqërisë Alesio 2014 sh.p.k. Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjini është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës dhe për këtë rezulton të jetë i dënuar me 8 vite e 9 muaj burg. Sipas ligjit për prokurimet publike autoriteti kontraktor ka detyrimin për të skualifikuar një operator ekonomik, kur anëtari i një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës i atij, aksionar ose ortak i kompanisë është i dënuar për organizim, drejtim ose financim të veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, në cilësinë e tij si titullar i autoritetit kontraktor, duke shpërdoruar detyrën dhe duke shkelur ligjin e prokurimeve publike, ka injoruar këtë detyrim, duke konsumuar veprat penale të sipërcituara.

Gjithashtu, në kallëzim kërkohet nga SPAK-u të kryhet një hetim i plotë dhe i gjithanshëm për aferën e projektit zhvillimor në njësitë administrative 4 dhe 8, zona “5 Maji” dhe paraqitjen e kërkesës në gjykatë për vendosjen e sekuestros preventive ndaj projektit, sipas nenit 274 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, për të pezulluar këtë projekt deri në përfundim të hetimeve.

Një ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi akuzoi Sali Berishën se po shpif ndaj demokratëve, sipas tij, “për të mbuluar skandalin e ndërtimit në lagjen “5 Maji” nga një trafikant droge i lidhur me familjarë të tij dhe me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj”.