Aktualitet

5 Maji, përurohet Memoriali i Dëshmorëve të Policisë!

Me rastin e 5 Majit, “Ditës së Dëshmorëve”, në Akademinë e Sigurisë u përurua Memoriali i Dëshmorëve të Policisë. Në aktivitetin me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano u shpreh:

Pelegrinazhit të përvitshëm që do të zhvillojmë çdo 5 Maj, sot iu shtua edhe ky memorial, i cili do të na bëjë bashkë si një familje që nderon dhe përkujton në çdo epokë bijtë e saj, ata që na deshën më shumë se jetën e tyre. Prandaj, bashkësia jonë është sa hyjnore aq edhe tokësore, sa e prekshme aq edhe e paarritshme.

Pas shumë vitesh shërbim në terren dhe në çdo koordinatë që na paracaktonte detyra, me përkushtim e sakrificën që buronte edhe nga modeli që njohëm tek pararendësit tanë, aspiratat tona u realizuan, jo pa dhimbje, lot gëzimi e derti. Sot mund të pohoj me bindje të plotë se rruga për t’u rikthyer tek ky prag, ku nisëm rrugëtimin tonë drejt një prej profesioneve më të vështira, por edhe më të nderuara, nuk ka qenë aspak i lehtë për ata që luftuan denjësisht me rrezikun e pasigurinë kombëtare. Njeriut në tërësinë e tij, i është atribuuar dhurata më e çmuar, kujtesa! Ai që nuk e hedh pas krahëve të kaluarën, di të hedhë i sigurtë hapat për të ardhmen e tij, të familjes dhe të vendit të cilit i përket.

Ata u ndanë nga kjo jetë tepër të rinj dhe sot do të ishin padyshim, kolonat më të fortifikuara ku do të bazohej puna e Policisë së Shtetit. Për mua dhe për shumë të pranishëm në këtë veprimtari, akti më i lartë është kur gjithsekush, përgjatë shumë viteve, ndërton familjen e tij, jo vetëm atë biologjike, por atë që na përfaqëson më denjësisht.

Gjithashtu, kryepolici Gledis Nano vuri në dukje se “ky memorial, i vendosur tashmë në këtë qendër të dijes dhe të formimit akademik, do të jetë shenja më e qartë dhe modeli më i çmuar për të gjithë ata studentë që do të dalin nga dyert e kësaj shkolle”.

Kjo sepse hija e këtij monumenti që do të bjerë çdo ditë mbi fytyrat e tyre, do t’i bëjnë të kuptojnë se sa përgjegjësi të lartë morale, qytetare e shtetërore ka gjithsekush prej atyre që ka vendosur të jetë pasardhës i veprës madhore të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

Nderim të përjetshëm aktit sublim të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit!