Aktualitet

5 vjet burg infermieres së Infektivit, grabiste pacientët me COVID!

Gjykata e Tiranës dënoi me 5 vite burg Ronida Hysën, infermieren e Infektivit të akuzuar për vjedhjen e parave të një pacienti që kishte ndërruar jetë nga COVID-19.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i Hysës u ul në 4 vjet e 4 muaj burg. Infermierja e Spitalit  Infektiv u arrestua në janar të këtij viti, e kallëzuar nga djali i një pacienti që ndërroi jetë nga koronavirusi. Hetimi provoi se kishte tërhequr gati 60 mijë lekë në bankomatë të ndryshëm, përmes kartës së viktimës.

30-vjeçarja Ronida Hysa nuk rezulton e vetmja. Nga familjarë të pacientëve të shtruar në spitalet COVID në vend, vazhdimisht janë denoncuar raste të korrupsionit të stafeve. Më i bujshmi ishte ai i sanitares Tire Alldervishi, e cila u arrestua pas denoncimit nga vajza e një pacienteje të infektuar me COVID-19, së cilës i kishte marrë 8 milion lekë të vjetra për t’u përkujdesur për të, por rezultoi e kundërta.

Gruaja që më pas ndërroi jetë duke mos i mbijetuar koronavirusit, ishte shtruar te spitali “Shefqet Ndroqi” ku Alldervishi ndonëse sanitare, shtirej si infermiere. Më 13 janar të këtij viti, policia njoftonte:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit bënë ndalimin e shtetases T. A., 58-vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase i është prezantuar si infermiere shtetases E. S., 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, shtetasja T. A. e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5.000-6.000 lekë. Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.