Bota

52 viktima dhe 35 të zhdukur/ Vazhdon të rritet bilanci i minatorëve të vdekur në një minierë qymyri në Siberi.

Rreth 52 persona humbën jetën dhe 35 rezultojnë të zhdukur nga zjarri që shpërtheu në një minierë qymyri në pjesën ruse të Siberisë.

Sipas autoriteteve ruse, dhjetëra minatorë të tjerë vazhdojnë ende të bllokuar në minierë.

Gjithashtu nga ekipi i shpëtimit u raportua se, përpjekjet për t’i shpëtuar të bllokuarit në minierë u ndërprenë, për shkak të një kërcënimi tjetër shpërthimi.

Guvernatori rajonal, Sergei Tsivilev, në kanalin e tij në Telegram, ka thënë se incidenti është shkaktuar nga shpërthimi dhe, sipas tij, në momentin e incidentit, në minierë ishin 285 persona, nga të cilët 239 janë evakuuar ndërsa nuk dihet fati i minatorëve të bllokuar nën tokë.

Në bazë të raportimeve, shkaku i mundshëm i shpërthimit, i cili ka ndodhur në thellësi prej 250 metrash, mund të ketë qenë ndezja e pluhurit të thëngjillit në boshtin e ventilimit, gjë që ka rezultuar me përhapje të tymit në gjithë sistemin e ventilimit.

Miniera ku ka ndodhur incidenti, është hapur më 2003.

Sakaq, presidenti Vladimir Putin shprehu ngushëllimet e tij për familjet e minatorëve të vdekur, duke shprehur gatishmëri për ndihmë kundrejt këtyre familjeve.

Në vitin 2016, 36 minatorë u vranë në një seri shpërthimesh metani në një minierë qymyri në veriun e largët të Rusisë.

Pas incidentit, autoritetet analizuan sigurinë e 58 minierave të qymyrit të vendit dhe shpallën 20 prej tyre, ose 34%, potencialisht të pasigurta.