Bota

Teksas, 8 vjeçarja vdes në paraburgimin e Patrullës Kufitare

Një vajzë e vogël nga Panamaja, e lindur me probleme në zemër vdiq të mërkurën ndërsa mbahej në paraburgim nga Patrulla Kufitare, vdekja e dytë e një fëmije nga Amerika Latine në paraburgimin e qeverisë amerikane në dy javë.

Vajza 8-vjeçare dhe familja e saj po mbaheshin në Harlingen të shtetit Teksas, në luginën Rio Grande, një nga korridoret më të ngarkuara për kalimet e emigrantëve, tha agjencia e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare Amerikane. Agjencia është përballur me mbipopullim në objektet e saj, nxitur nga një rritje e madhe e migrantëve përpara skadimit javën e kaluar të një rregulloreje kyçe mbi imigracionin e lidhur me pandeminë Covid 19.

Vajza përjetoi “një emergjencë mjekësore” dhe për të u thirrën shërbimet e urgjencës. Ata e dërguan atë në spital ku u shpall e vdekur, tha agjencia.

Është urdhëruar një autopsi, tha Jesus T. “Chuy” Garcia, Jr., gjykatësi që kryeson çështjen.

Emri i vajzës ishte Anadith Tanay Reyes Alvarez, tha konsulli i Hondurasit, José Leonardo Navas. Ai tha se ajo është nga Panamaja, megjithëse prindërit e saj janë nga Hondurasi. Konsulli tha se vajza po udhëtonte me babanë, nënën dhe dy vëllezërit e motrat më të mëdhenj.

Sipas të jatit që bisedoi me konsullin, vajza ka lindur me probleme në zemër dhe është operuar tre vjet më parë në Panama.

Zyra e Punëve të Brendshme të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit do të hetojë vdekjen e vajzave në Teksas, dhe inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Vdekja e saj vjen një javë pasi një djalë 17-vjeçar nga Hondurasi, Ángel Eduardo Maradiaga Espinoza, i cili po udhëtonte vetëm, vdiq ndërsa mbahej në paraburgimin e Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore.

Javën e kaluar, Patrulla Kufitare filloi të lirojë emigrantët në SHBA pa kërkesën për t’u paraqitur në gjykatën e imigracionit. Në vend të kësaj ata u udhëzuan të raportojnë në një zyrë imigracioni brenda 60 ditëve. Ky veprim i kursen agjentët e Patrullës Kufitare dokumentet e përpunimit që kërkojnë kohë, duke i lejuar ata të hapin hapësirë në objektet e mbajtjes. Një gjykatës federal në Florida urdhëroi t’i jepet fund lirimeve të shpejta.

Patrulla Kufitare kishte 28,717 persona në paraburgim më 10 maj, një ditë para se të skadonin kufizimet e azilit lidhur me pandeminë, që ishte dyfishi i numrit nga dy javë më parë. Deri të dielën, numri kishte rënë në 22,259, por është ende jashtëzakonisht i lartë.

Patrulla Kufitare ka një rrjet stacionesh dhe objektesh për përpunimin e kërkesave të imigracionit në të gjithë kufirin jugperëndimor. Në faqen e saj të internetit, agjencia thotë se ka një kapacitet maksimal prej 5,000 vetësh, megjithëse agjencia ka zgjeruar me shpejtësi kapacitetin muajt e fundit.

Koha mesatare në paraburgim të dielën ishte 77 orë, pesë orë më shumë se maksimumi i lejuar sipas politikës së agjencisë.

Gjatë administratës Trump, vdekjet e fëmijëve në paraburgim në SHBA u bënë pikë debatesh, duke vënë në pikëpyetje përpjekjet e administratës për të mbrojtur emigrantët më të rrezikuar në një kohë kur SHBA po shihte një rritje të numrit të familjeve me fëmijë që vinin në kufirin jugor./ VOA