Aktualitet

6 muaj pagë minimale Enkeleda Kapedanit, gjyqtares që sfilonte në Gjykatën e Elbasanit!

Në kuadër të hetimit shtesë disiplinor, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) pranoi kërkesën e magjistrates Enkeleda Kapedani me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për arritjen e një marrëveshjeje, duke pranuar shkeljen disiplinore në këmbim të një mase disiplinore më të butë.

Në një njoftim për shtyp, ILD bën të  ditur:

Hetimi disiplinor ndaj magjistrates E.K., i realizuar në përputhje me afatin 3-ditor të pezullimit të magjistratit, nisi me iniciativë në maj 2021 nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë pas publikimit gjerësisht në media e rrjetet sociale, të disa videove, ku shfaqej magjistratja E.K., në ambientet ku ushtronte detyrën dhe brenda një automjeti, me lëvizje e sjellje provokuese, shoqëruar me muzikë të papërshtatshme për imazhin e një magjistrati. Më 07.06.2021 KLGJ pranoi kërkesën e ILD për pezullimin e magjistrates E.K. dhe kërkoi hetime shtesë lidhur me propozimin për shkarkim nga detyra për shkelje të rëndë disiplinore”. Në kuadër të vijimit të hetimit disiplinor nga ILD, magjistratja E.K. depozitoi më 30.09.2021 pranë ILD-së, “Kërkesë për arritjen e marrëveshjes”, duke pranuar shkeljen disiplinore në këmbim të një mase disiplinore më të butë.

ILD vendosi të pranojë marrëveshjen bazuar në rrethanat e reja të krijuara:

Magjistratja ndryshe nga qëndrimi mohues lidhur me shkeljen disiplinore gjatë procedimit fillestar disiplinor ka marrë përsipër peshën e përgjegjësisë morale, ka kërkuar ndjesë, si dhe ka shfaqur pendesë lidhur me aktet e kryera nga ana e saj.

Magjistratja ka depozituar me shkrim dorëheqjen e saj nga pozicioni i zëvendëskryetares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si shenjë reflektimi ndaj shkeljes disiplinore të kryer nga ana e saj.

Gjyqtarja ka pohuar se në çastet e para është gjendur përballë një presioni shumë të madh psikologjik, familjar, mediatik dhe institucional, të cilat në tërësinë e tyre ndikuan edhe aftësinë e saj për të perceptuar realitetin dhe mënyrën e reagimit ndaj tij. Magjistratja ka deklaruar se periudha e pezullimit deri më sot i ka shërbyer për të reflektuar thellë rreth situatës dhe të ndjejë një peshë përgjegjësie dhe përgjegjshmërie për atë çfarë ka ndodhur, duke e bërë më të kujdesshme në jetën e saj private.
Magjistratja ka qenë bashkëpunuese dhe nuk ka qenë pengesë lidhur me vazhdimin e hetimeve, apo vënien në dispozicion të ILD të mjeteve apo informacionit të nevojshëm.

Më dt.05.01.2022, ILD dhe magjistratja u dakordësuan për nënshkrimin e marrëveshjes së përbashkët të pranimit, për caktimin ndaj magjistrates E.K. të masës disiplinore “Pezullim” me të drejtën për të marrë pagën minimale për një periudhë kohore për 6 muaj, parashikuar në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, për shkeljen disiplinore të parashikuar në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe shkelje të Kodit të Etikës Gjyqësore të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Gjyqtarja e Elbasanit Enkelejda Kapedani, e cila u bë e njohur për publikimin e videove të saj në rrjetet sociale, teksa bënte sfilatë në zyrë, është pezulluar nga detyra me të drejtën për të marrë pagën minimale për 6 muaj. Inspektori i Lartë i Drejtësisë pranoi kërkesën e magjistrates për marrëveshje duke pranuar shkeljen disiplinore dhe KLGJ e miratoi.