Bota

68 ditë nga lufta në Ukrainë, në Maripol rinisin evakuimet!

Dita e 68-të e luftës ruse në Ukrainë dhe mësohet se në mëngjes, në 06:00 me orën tonë e 07:00 me atë lokale, në Mariupol rifilluan operacionet e evakuimit të civilëve. Administrata vendore konfirmoi nisjen e autobusëve nga qendra tregtare Port City, ndërsa dje u evakuan 100 qytetarë nga qyteti që mbahet i rrethuar prej pushtuesve.

Rusia nuk synon t’i japë fund luftës në Ukrainë deri në Ditën e Fitores, që shënohet më 9 maj. Konfirmimi vjen nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov. Duke folur për mediat italiane, Lavrov u shpreh se “Moska nuk do të nxitojë të përfundojë operacionin special ushtarak deri në këtë datë”. “Ritmi i operacionit në Ukrainë, para së gjithash, varet nga nevoja për të minimizuar çdo rrezik për popullatën civile dhe personelin ushtarak rus”, shtoi Lavrov.

Po ashtu, Rusia bëri një deklaratë të fortë kur u shpreh se “të gjithë kryetarët e shteteve që furnizojnë me armë Ukrainën duhet t’i dorëzohen drejtësisë si kriminelë lufte”. Presidenti i Dumës, Dhomës së Ulët të Parlamentit rus, Vyacheslav Volodin tha:

Liderët e shteteve europiane, të drejtuar nga Gjermania, mund t’i tërheqin popujt e tyre në probleme shumë të mëdha. Ata bëhen pjesë e konfliktit duke furnizuar me armë Ukrainën.

Ndërkohë në Bashkimin Europian, Hungaria vazhdon të jetë kundër çdo mundësie embargoje të Unionit mbi importet e naftës dhe gazit rus. Një zëdhënës i qeverisë hungareze theksoi se qëndrimi i tyre nuk ndryshon! Bashkimi Europian po punon për një paketë të re sanksionesh, që ndër të tjera parashikon një tjetër kufizim gradual mbi importet e naftës, por që të marrë miratimin kërkohet drita jeshile nga të gjitha vendet anëtare të Bllokut.

Ndërkaq, pas faljes së Namazit të Fitër Bajramit, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, bëri të ditur se me shumë mundësi, këtë javë do të ketë një takim me homologun rus, Vladimir Putin, në një tjetër përpjekje që kryeqyteti turk Ankara ose Stambolli të jenë epiqendër e uljes së tensioneve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.