Aktualitet

69.6% niveli i borxhit publik në vend për tre mujorin e parë të vitit!

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se ekonomia shqiptare është rritur me 5.97% ndërsa niveli i borxhit publik për tre mujorin e parë të këtij viti u reduktua në nivelin 69.6%, për shkak të ngadalësimit të huamarrjes së brendshme. Në konferencën e zhvilluar me gazetarë, Ibrahimaj bëri të ditur se, “rritja ekonomike në tremujorin e parë të 2022-it, shënoi 5.97%”. Ministrja shtoi se presin një rritje me 3.24% për gjithë vitin.

Ka pasur rritje në të gjithë sektorët e prodhimi edhe më i lartë ka qenë tek ndërtimi, me mbi 25%, i ndjekur më pas nga tregtia. Konsumi i popullatës u rrit me 8.6% dhe përbën peshën kryesore të rritjes ekonomike.

Sipas numrit një të dikasterit të Financave, “me rritje 5.97%, Shqipëria shënon rritjen më të lartë se mesatarja e BE-së që kishte rritje 5.6%. Po ashtu rritja është më e larta edhe në rajon”.

Referuar të dhënave, ne nuk kemi ngadalësim të sektorëve prodhues e të konsumit, referuar eksporteve dhe importeve të ushqimit. Gjithashtu presim rritje të ekonomisë edhe në 3-mujorin e tretë, nxitur nga turizmi, ndërsa me Aktin Normativ që miratuam dje, synojmë të nxisim më tej sektorin e ndërtimit që ka rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se ngadalësimi i nivelit të borxhit vihet re që në vitin 2021. Ndërsa shqetësimi kryesor mbetet inflacioni i lartë. Në 5 mujorin e parë, inflacioni është 5.2%, kur vetëm në muajin maj arriti në 6.7%

Importet janë rritur në vlerë me mbi 20%, ndërsa janë ulur importet në sasi me 4%. 13 miliardë lekë është vlera e të ardhurave që ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve. Ekonomia shqiptare për 5 mujorin është rritur paçka rritjes së çmimeve. Kjo rritje ka ardhur e bazuar në qarkullimin e sektorëve, ku përveç ndërtimit që është reduktuar me 1.6%, kemi pasur rritje në të gjithë sektorët e tjerë në total 13.5%: Prodhimi është rritur 8.6%, shërbimet 2.5%, transporti 28.5% dhe tregtia me 50.4.

Lidhur me kritikat se Bordi i Transparencës vendos çmime të larta për naftën, ndërsa në bursë janë më të ulëta, Delina Ibrahimaj u shpreh:

Çmimet e naftës nga bordi, asnjëherë nuk kanë qenë të ndryshme nga bursa. Marzhet bruto të fitimit të kompanive ku përfshihen kostot kanë qenë 5 deri 6%, ndërsa vjet ishin 15%. Kjo është e kuptueshme se çfarë efekti ka pasur bordi.

Qeveria po shikon mundësinë për të dalë me një paketë tjetër të ndihmës për bizneset dhe individët që kanë më shumë nevojë në kushtet e krizës së inflacionit të rritur.

Ne jemi në procesin e rishikimit të buxhetit dhe të analizës së të gjithë të dhënave sa i përket konsumit apo të ardhurave të disponueshme të familjeve. Në përfundim të procesit të rishikimit të buxhetit, do të dalim me paketën që pritet të vijojë për atë kategori biznesesh dhe individësh që realisht kanë më shumë nevojë për mbështetje. Nuk do të bëjmë ndryshime të taksave të karburantit. Do të dalim me një paketë antikrizë në total.