Sport

7 lojtarë të Kukësit me COVID, kërkohet shtyrje e takimit me Dinamon!

COVID-19 “pushton” ekipin e Kukësit. 7 lojtarë dhe tre anëtarë të stafit teknik të italianit Diego Longo rezultuan pozitivë. Të tjerë, iu nënshtruan vetëizolimit. Ndërsa verilindorët duhet të zbresin në fushë të shtunën për sfidën kundër Dinamos, në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të në Abissnet Superiore. Klubi i Kukësit iu drejtua Federatës Shqiptare të Futbollit, me kërkesën zyrtare për shtyrje të takimit, aq sa ka patur aludime e zëra që pretendojnë se pas kësaj kërkese fshihet fakti që stadiumi i ri i Kukësit ende nuk është gati për të zhvilluar ndeshjen e parë.

Njoftimi:

Pas kthimit të ekipit nga pushimet, ku shumë futbollistë kanë udhëtuar jashtë vendit, klubi është kujdesur që futbollistët dhe stafi teknik, të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të mos rrezikojnë shëndetin e të tjerëve.

Në kushte të tilla, klubi ka kryer 3 testime të Covid 19 dhe kane rezultuar të prekur 7 futbollistë dhe 3 anëtarë të stafit teknik. Njëkohësisht, janë edhe disa futbollistë të dyshuar duke qenë se jetojnë në një banesë me të prekurit dhe kanë kontakt të vazhdueshëm.

Në kushte të tilla, të prekurit por edhe të dyshuarit, janë karantinuar në banesat e tyre duke shmangur kontaktin me pjesën tjetër të ekipit megjithatë, të tjera teste do të kryhen ditë pas dite.

Sipas kalendarit, skuadra do të zhvillojë të shtunën e datës 15/01/2022 ndeshjen ndaj Dinamos, por në kushte të tilla nuk mund të flitet për një ndeshje normale futbolli. Klubi ka kërkuar në rrugë zyrtare në FSHF shtyrjen e ndeshjes ndaj Dinamos, duke qenë se organika e ekipit është e cunguar por njëkohësisht rrezikohet shëndeti i skuadrës sonë por edhe ekipit kundërshtar.

Zyra për shtyp FK Kukësi.