Kartat e skaduara të identitetit, shkon në rreth 200 numri i votuesve në Himarë që për shkak se nuk i kanë rinovuar, nuk mund të votojnë për të zgjedhur kreun e bashkisë mes socialistit Vangjel Tavo e kandidatit të opozitës, Petro Gjikuria. Pasi votoi, Tavo ftoi qytetarët me të drejtë vote, të zgjedhin projektin dhe alternativën më të mirë për Himarën e himariotët.
Lidhur me problematikën e votuesve me karta identiteti të skaduara e që kërkojnë të votojnë, Tavo u shpreh:
Nuk është çështja ime, por mbi ligjin nuk mund të dalë askush.
Sot votoi dhe Gjikuria, i cili ndërsa shprehu bindjen në fitore, tha se kartat e skaduara përbëjnë problem.
Kjo është një ditë feste, le ta festojmë të gjithë bashkë! Të gjithë të shkojnë në kutitë e votimit e të fitojë më i miri! Se çfarë do të bëhet do ta dimë të hënën. Unë do të jem kryetari i ardhshëm i bashkisë.
Vitin e kaluar, njerëzit u lejuan të votojnë me karta të skaduara kurse këtë herë, nuk u lanë të votojnë. Ky është problem.
Komisioni Qendror Zgjedhor reagoi lidhur me faktin që shumë qytetarë të paraqitur në qendrat e votimit me karta të skaduara nuk lejohen të votojnë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sjell në vëmendje se nuk është organi kompetent për shtyrjen e afateve të vlefshmërisë të dokumenteve të identifikimit.
Për zgjedhësit mbi 75 vjeç vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit është pa afat. Kështu përcaktohet në ligjit nr. 89/2020, datë 09/07/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, i ndryshuar”.
Ndërkaq, pati një reagim nga dega në Himarë e Omonias, organizatës së minoritetit grek që hedh akuza për qeverinë e thekson se në këtë mënyrë, privohen nga votimi, mbi 6 mijë qytetarë.
Që me nisjen e procesit zgjedhor në Bashkinë Himarë, me insistimin e komisionerëve të Partisë Socialiste, dhjetëra zgjedhësve u refuzohet e drejta e votimit, me pretendimin e dokumenteve të identifikimit të skaduara. Në kundërshtim me praktikat e aplikuara në proceset e mëparshme zgjedhore, Kryeministri Rama refuzoi të nxjerrë aktet përkatëse ligjore, që do të garantonin të drejtën e votës për të gjithë zgjedhësit.
Kompania shtetërore e prodhimit të kartave të identitetit, ishte vënë gjatë ditëve të fundit në shërbim të Partisë Socialiste, duke u shërbyer qytetarëve në mënyre selektive. Antarëve të PS u rinovoheshin dokumentet në mënyrë të organizuar brenda 24 orëve, ndërsa qytetarëve të tjerë u kërkohej të paraqiteshin pas 15 ditësh.
Në total, nga 23074 zgjedhës të regjistruar, 6157 janë apriori të privuar nga e drejta e zgjedhjes me vendim dhe përgjegjësi të Qeverisë Rama.
Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje, deri në orën 10:00 ishte 11.93% bazuar në shifrat e raportuara nga 28 prej 36 qendrave të votimit në Himarë. Votimi mbyllet zyrtarisht në orën 19:00.